Berisha: Rama po planifikon destabilizimin e vendit, qytetarët të mbështesin studentët
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për të planifikuar destabilizimin e vendit dhe ka thirrur qytetarët të mbështesin studentët në protestë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë sërish thirrje qytetarëve që t’u bashkohen studentëve dhe të rinjve në mbështetje të protestës së tyre, e cila ka hyrë në ditën e nëntë te saj. Përmes një videomesazhi drejtuar qytetarëve, Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përgatit një plan për të destabilizuar vendin. Sipas kreut të PD-së, ky plan synon krijimin e situatave të dhunshme. “Edi Rama ka një plan tjetër diabolik, për të cilin paralajmëroj çdo qytetar shqiptar. Edi Rama ka një plan për të destabilizuar vendin, që të fajësojë studentët për këtë, vetëm e vetëm që të ruajë pushtetin e tij”, deklaroi Berisha. Gjatë videomesazhit, Berisha ngriti akuza edhe për persona të maskuar, të cilët, sipas tij, janë filmuar duke dalë nga ambientet e Ministrisë së Brendshme dhe duke u infiltruar mes protestuesve. Sipas kreut të opozitës, këta persona dyshohet se synojnë të nxisin incidente dhe të kryejnë veprime të paligjshme. “Një grup personash me dopio maska janë filmuar ditën e djeshme duke dalë nga Ministria e Brendshme, me fytyrë të mbuluar me maskë të zezë, por edhe me maskën tjetër, duke thirrur ‘Rama në burg’, me qëllim për të mësyrë bizneset private dhe për të realizuar krime të tjera ndaj protestuesve, që t’u faturohen studentëve”, u shpreh Berisha.