Bedri Hamza jep dorëheqje nga posti i kryetarit të PDK-së
Bedri Hamza, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, duke thënë se vendimi është i menduar mirë dhe se beson se zgjedhjet e brendshme partiake do të japin hapësirë që të rinjtë të kontribuojnë në PDK.

Bedri Hamza, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, duke thënë se vendimi është i menduar mirë dhe se beson se zgjedhjet e brendshme partiake do të japin hapësirë që të rinjtë të kontribuojnë në PDK.
Hamza tha se nuk po largohet nga PDK, por vetëm nga pozita e kryetarit, dhe se do të vazhdojë të jetë një anëtar i partisë dhe një votues besnik. Ai beson se nga procesi i brendshëm zgjedhor, PDK-ja do të dalë "më e forte dhe më e konsoliduar".
Hamza u shpreh se aktgjykimi i 16 shtatorit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi ishte një "padrejtësi e madhe ndaj popullit të Kosovës". Ai e cilësoi 16 shtatorin si "një nga ditët më të renda të jetës sime, një nga ditët më të renda për Kosovën", por shtoi se do të vazhdojë përpjekjet për drejtësi.
Hamza mori drejtimin e PDK-së më 17 nëntor 2025, disa ditë pasi Memli Krasniqi dha dorëheqje nga kreu i partisë. Ai u zgjodh në konventën partiake pa kundërkandidat, ndonëse Enver Hoxhaj kishte shprehur ambicie për garën për të parin e partisë. Megjithatë, Hoxhaj kishte kërkuar që konventa të mbahet një javë më vonë dhe nuk mori pjesë në garën duke u thirrur në "kushte të pabarabarta".
Hamza ka qenë kandidat për kryeministër i PDK-së në zgjedhjet e shkurtit dhe dhjetorit të vitit 2025 dhe të qershorit të këtij viti. Në të tre palë zgjedhjet, partia e Hamzës doli fuqia e dytë politike.