Korreshi: Ramës i ka ardhur fundi, protesta do të jetë ditë e veçantë
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka deklaruar se kryeministrit Edi Rama i ka ardhur fundi dhe se protesta e pedagogëve do të jetë ditë e veçantë.

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka deklaruar se kryeministrit Edi Rama i ka ardhur fundi dhe se protesta e pedagogëve do të jetë ditë e veçantë. Ai vlerësoi qëndresën e protestuesve dhe theksoi se, pavarësisht ndalimeve nga policia, morali i pjesëmarrësve mbetet i lartë.
Korreshi cilësoi përfshirjen e pedagogëve si një zhvillim të rëndësishëm, që sipas tij ka dhënë një tjetër dimension protestës. Ai tha se kjo është një rezistencë e admirueshme dhe se protesta e pedagogëve i ka dhënë bukuri protestës.
Deputeti demokrat u ndal edhe te gjendja e sistemit arsimor, duke e cilësuar atë në kolaps. Sipas tij, vështirësitë që përballojnë studentët në Tiranë dhe problemet e shkollave në zona rurale janë tregues të situatës së rënduar në arsim.
Ai theksoi se pedagogët i njohin nga afër këto probleme dhe se reagimi i tyre në protestë ka një rëndësi të veçantë. "Sistemi arsimor sot është vulnerabel, në fshatra dy veta janë nën klasa. Ke një kolaps të sistemit arsimor dhe pedagogët e dinë shumë mirë çfarë vështirësish kanë studentët në Tiranë. Ramës i ka ardhur fundi. Mendoj se e shtunën do të jetë ditë e veçantë, do të ketë pjesëmarrje të madhe", tha deputeti i PD-së.
Korreshi u shpreh i bindur se protestat do të vijojnë dhe se pjesëmarrja e qytetarëve do të rritet. Sipas tij, pakënaqësia ndaj qeverisë dhe problemet në institucione mund të shërbejnë si shtysë për ndryshime.