"Stop, po flet elita!": Deputeti Korreshi vlerëson rezistencën e studentëve dhe pedagogëve
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka vlerësuar rezistencën e studentëve dhe pedagogëve si një nga më të admirueshmet në 36 vite të demokracisë në Shqipëri. Ai ka theksuar se përfshirja e pedagogëve në protestë ka dhënë më shumë forcë rezistencës dhe ka rrëzuar pretendimin e kryeministrit Edi Rama se studentët janë "kokëbosh".

Deputeti i opozitës argumentoi se përfshirja e pedagogëve në protestë tregon se kriza ka prekur edhe elitën akademike, e cila i njeh nga afër problemet e sistemit arsimor dhe vështirësitë me të cilat përballet studentët. Korreshi tha gjithashtu se bojkotimi i mësimit nga pedagogët është një sinjal se situata ka arritur në pikën kritike.
"Është një nga rezistencat më të admirueshme që kanë ndodhur gjatë këtyre 36 viteve të demokracisë. Është një nga më të bukurat. Unë kam parë dhjetëra e qindra nxënës, studentë. Sot isha te ‘Mine Peza’, ishin gati 118 të ndaluar. Kishin një moral të jashtëzakonshëm, për të u admiruar, të të them të drejtën. Janë pjesë e historisë. Sot dhe dje, prezenca e pedagogëve ia ka shtuar bukurinë kësaj rezistence dhe ia ka rrëzuar kauzën shokut Rama, kur thotë se janë kokëbosh", tha Korreshi.