Meta paguon gjobë rekord 25 miliarde dollarësh për mashtrimin e përdoruesve
Gjykata e Nju Meksikos ka urdhëruar kompaninë Meta të paguajë 25 miliarë dollarësh gjobë për mashtrimin e përdoruesve lidhur me praktikat e mbrojtjes së të dhënave personale.

Çështja nisi në vitin 2021, kur autoritetet e Nju Meksikos ngritën padi ndaj kompanisë për pretendime që lidhen me skandalin Cambridge Analytica dhe mënyrën se si trajtoheshin të dhënat e përdoruesve. Sipas akuzave, deklaratat publike të Metës për sigurinë dhe privatësinë nuk pasqyronin në mënyrë të saktë praktikat e kompanisë.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, në shtator, pas një gjyqi dyjavor, një juri në Gjykatën e Distriktit të Santa Fe vendosi kundër Metës, duke konstatuar 43 milionë shkelje të ligjeve të mbrojtjes së konsumatorit në Nju Meksiko. Legjislacioni parashikon gjoba deri në 5,000 dollarë për çdo shkelje, duke krijuar bazën për një penalitet të jashtëzakonshëm financiar.
Ky vendim vjen në një periudhë kur Meta po përballon me një sërë procesesh gjyqësore në Shtetet e Bashkuara, të lidhura me ndikimin e platformave të saj te përdoruesit, veçanërisht te të miturit. Në një tjetër çështje, kompania është përballuar me pretendime se Facebook dhe Instagram kontribuojnë në krijimin e varësisë së fëmijëve dhe adoleshentëve.
Nju Meksiko është kthyer në një nga shtetet më aktive në përballjen ligjore me kompaninë. Në raste të mëparshme, gjykatat kanë vendosur gjithashtu dëmshpërblime dhe penalitete ndaj Metës për çështje që lidhen me mbrojtjen e përdoruesve të rinj dhe sigurinë në platformat e saj.
Për kompaninë, e cila ka një ndikim të madh në industrinë globale të teknologjisë, këto procese shtojnë presionin për të ndryshuar mënyrën e trajtimit të të dhënave personale dhe për të marrë masa më të forta për mbrojtjen e përdoruesve. Vendimi i fundit shënon një tjetër përballje të rëndësishme mes autoritetet publike dhe kompanive të mëdha të teknologjisë për përgjegjësinë ndaj konsumatorëve.