Alarm në fluturimin nga Rodos drejt Dyseldorfit, pasagjerët shfaqin simptoma të rënda
Pasagjerët e fluturimit Eurowings nga Rodos drejt Dyseldorfit kanë shfaqur simptoma të rënda, duke çuar në alarm dhe ekipe mjekësore të pajisura me kostume mbrojtëse të hyrë në avion për të kontrolluar gjendjen e tyre dhe të vlerësuar mundësinë e një infeksioni nga norovirusi.

Një situatë alarmante u regjistrua në një fluturim të kompanisë ajrore Eurowings nga ishulli grek i Rodosit drejt Dyseldorfit në Gjermani, pasi disa pasagjerë shfaqën probleme shëndetësore gjatë udhëtimit. Pas uljes së avionit, ekipe mjekësore të pajisura me kostume mbrojtëse hyrën në bord për të kontrolluar gjendjen e pasagjerëve dhe për të vlerësuar mundësinë e një infeksioni nga norovirusi.
Mediat e huaja bënë me dije se, ngjarja ndodhi të dielën, më 18 tetor, në fluturimin EW9631, ku udhëtonin 212 pasagjerë dhe shtatë anëtarë të ekuipazhit. Gjatë udhëtimit, disa persona filluan të përjetonin simptoma gastrointestinale, përfshirë vjellë dhe shqetësimet e tjera fizike. Përballë situatës, ekuipazhi kërkoi leje për ulje prioritare në aeroportin e Dyseldorfit, në mënyrë që pasagjerët e prekur të merrnin ndihmë të nevojshme mjekësore.
Pas uljes, autoritetet e aeroportit aktivizuan procedurat e emergjencës dhe në vendngjarje mbërritën ekipe mjekësore me pajisje mbrojtëse të plotë. Pasagjerët u mbajtën në avion për rreth 90 minuta, ndërsa personeli shëndetësor kryente kontrollet dhe vlerësonte situatën. Tre pasagjerë që shfaqnin simptoma u ekzaminuan dhe morën trajtim në vend, përpara se të dërgoheshin në spital si masë paraprake.
Pjesa tjetër e udhëtarëve u lejua të vazhdonte udhëtimin drejt destinacionit të saj. Një pasagjere 28-vjeçare, e cila po kthehej nga pushimet me partnerin e saj, tha se gjatë fluturimit disa persona nuk ishin ndier mirë dhe se disa prej tyre kishin vjellë. Ajo e përshkroi si tronditëse pamjen e ambulancave dhe të personelit të emergjencës me veshje mbrojtëse pas uljes. Sipas saj, ekuipazhi i avionit ruajti qetësinë dhe u përpoku të menaxhonte situatën pa shkaktuar panik mes udhëtarëve.
Dyshime për norovirus, por shkaku mbetet i paqartë
Një nga pistat që po shqyrtohet është mundësia e infektimit me norovirus, një virus shumë ngjitës që shkakton të vjellat, diarre dhe dhimbje barku. Megjithatë, deri tani nuk është konfirmuar se ky virus ishte shkaku i problemave shëndetësore të pasagjerëve.
Kompania Eurowings ka konfirmuar se disa udhëtarë u ndien keq gjatë fluturimit dhe se pas uljes tre prej tyre morën ndihmë mjekësore, përpara se të dërgoheshin në spital. Sipas kompanisë, shkaku i simptomave mbetet i paqartë dhe po hetohet. Pasagjera 28-vjeçare tha gjithashtu se kishte filluar të përjetonte simptoma të ngjashme dy ditë pas fluturimit, por nuk është e ditur nëse gjendja e saj lidhej me incidentin në avion.
Çfarë është norovirusi?
Norovirusi është një virus shumë ngjitës që prek sistemin tretës dhe mund të shkaktojë të vjellat, diarre, dhimbje barku dhe të përziera. Ai përhapet përmes kontaktit të afërt me persona të infektuar, sipërfaqeve të kontaminuara, si dhe ushqimit ose ujit të ndotur. Simptomat zakonisht shfaqen papritur dhe, në shumë raste, largohen brenda rreth dy ditësh.
Megjithatë, të vjellat dhe diarrea mund të shkaktojnë dehidratim, veçanërisht te fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe personat me probleme të tjera shëndetësore. Hetimet për incidentin në fluturimin nga Rodos drejt Dyseldorfit vijojnë, ndërsa autoritetet duhet të percaktojnë nëse bëhet fjalë për norovirus apo për një shkak tjetër që ka prekur disa prej pasagjerëve gjatë udhëtimit.