Pushteti në Serbi shtypi protestat e organizuara përmes mjeteve digjitale
Raporti i ri i Freedom House konstaton se liria në internet në mbarë botën ka shënuar rënie për të gjashtëmbëdhjetin vit me radhë. Serbia është përmendur në këtë kontekst, ku raporti rikujton protestat kundër Qeverisë, të udhëhequra nga studentët, të cilat shpërthyen pas shembjes së strehës prej betoni në një stacion hekurudhor më 2024.

Përpjekjet e qeverive autoritare për t’ua kufizuar qytetarëve qasjen në internet, keqpërdorimi i ligjeve për përdorimin e tij dhe përmbajtjet e gjeneruara nga inteligjenca artificiale kanë krijuar pengesa të reja për lirinë e shprehjes dhe qasjen në informacion. Ky është përfundimi i raportit të ri të organizatës Freedom House, i cili konstaton se liria në internet në mbarë botën ka shënuar rënie për të gjashtëmbëdhjetin vit me radhë.
Në këtë kontekst përmendet edhe Serbia. Raporti rikujton protestat kundër Qeverisë, të udhëhequra nga studentët, të cilat shpërthyen pas shembjes së strehës prej betoni në një stacion hekurudhor më 2024, kur humbën jetën 16 njerëz. “Pushteti i shtypi ashpër protestat, shumë prej të cilave u organizuan me ndihmën e mjeteve digjitale”, thuhet në raport.
Regjimet autoritare po e shndërrojnë internetin në një sistem kontrolli, duke vendosur se kush mund të lidhet, çfarë mund të shohë dhe nëse zëri i tij mund të dëgjohet. Kian Vesteinsson, autor i raportit dhe zëvendësdrejtor për hulumtime në Freedom House, tha: “Diktatorët po investojnë për t’i mbajtur njerëzit jashtë rrjetit. Ne duhet të investojmë që censura të dështojë.”
Drejtori ekzekutiv i Freedom House, Jamie Fly, vuri në pah se “aktorët autoritarë tashmë po e përdorin inteligjencën artificiale si armë.” Ai shtoi: “Duhet të sigurohemi që aktivistët në vijën e parë dhe avokuesit për të drejtat e njeriut të kenë qasje në teknologjitë më të avancuara, në mënyrë që t’u kundërvihen këtyre kërcënimeve dhe ta përshpejtojnë përhapjen e lirisë në shoqëritë represive.”
Freedom House konstaton në raport se, gjatë vitit të kaluar, njerëzit në mbarë botën përdorën mjete digjitale për t’u mobilizuar dhe për të organizuar protesta kundër qeverive. Në raport nuk përmenden vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, e cila e ruajti statusin e vendit “pjesërisht të lirë” sa i përket lirisë në internet. Serbia është në këtë kategori që nga viti 2024. Në atë kohë vlerësohej si vend “i lirë.”