Krizë te Man.United… Carrick në fije të perit pas turpërimit nga Como
Manchester United po kalon një nga momentet më të vështira, pasi humbi 4-1 kundër Comos në Champions League, duke rritur presionin mbi trajnerin Michael Carrick. Atmosfera e tensionuar brenda skuadrës është bërë edhe më e dukshme pas përplasjes publike mes trajnerit dhe kapitenit Bruno Fernandes.

Humbja 4-1 kundër Comos në Champions League ka rritur ndjeshëm presionin mbi Michael Carrick, trajnerin e Manchester United. Përplasja publike mes trajnerit dhe kapitenit Bruno Fernandes shton dyshimet për të ardhmen e Carrick në "Old Trafford".
Carrick mori përgjegjësinë për paraqitjen e skuadrës, por nuk arriti të qetësojë situatën. "Marr 100% përgjegjësi për të gjithë ekipin dhe performancën. Kaq", deklaroi trajneri për TNT Sports.
Megjithatë, fjalët e kapitenit Bruno Fernandes zbuluan një tjetër problem. Mesfushori portugez, i zëvendësuar në minutën e 67-të, vuri në pyetje qasjen taktike të skuadrës, duke theksuar se vendimi për të mos ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj kundërshtarit i përkiste stafit teknik.
Carrick iu përgjigj publikisht kapitenit të tij, duke theksuar rendësinë e angazhimit të lojtarëve në të dyja fazat e lojes. "Nëse nuk vrapon përpara dhe nuk vrapon prapa, nuk do të fitosh", u shpreh ai, në një deklaratë që pasqyron tensionin e krijuar brenda skuadrës.
Kjo është ndeshja e shtatë radhazi pa fitore për Manchester United, një seri që e rëndon edhe më shumë situatën e trajnerit. Problemet, megjithatë, nuk lidhen vetëm me rezultatet. Pakënaqësitë për ndërtimin e skuadrës dhe politikën sportive të klubit janë shfaqur edhe më herët, ndërsa Lisandro Martinez kishte kritikuar publikisht mungesën e investimeve të mjaftueshme gjatë verës.
Për momentin, nuk ka një vendim zyrtar për të ardhmen e trajnerit, por presioni po shtohet. Pas një tjetër disfate të rendë dhe përplasjeve të hapura brenda ekipit, Carrick duhet të gjejë shpejt një zgjidhje për të ndalur rënien e Manchester United.