Deputetët mblidhen sot në seancë plenare, studentët paralajmërojnë protestë para Parlamentit
Deputetët shqiptarë do të mblidhen sot në seancë plenare, ndërsa studentët kanë paralajmëruar protestë para ambienteve të Parlamentit. Kryeministri Edi Rama nuk do të jetë i pranishëm, pasi ndodhet në Budva.

Deputetët shqiptarë do të mblidhen sot në seancë plenare, ndërsa studentët kanë paralajmëruar protestë para ambienteve të Parlamentit. Kryeministri Edi Rama nuk do të jetë i pranishëm, pasi ndodhet në Budva.
Pas shtyrjes së seancës së kaluar për shkak të protestave, Kuvendi pritet të mblidhet këtë të enjte në seancë plenare. Deputetët do të mblidhen në orën 10:00, në një seancë ku pritet të dominojnë debatet për protestat dhe reagimin e policisë.
Pika e parë e rendit të ditës parashikon një interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, të kërkuar nga Partia Demokratike. Sipas rendit të ditës, të miratuar me urdhër të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, më 20 tetor, janë parashikuar edhe interpelanca të tjera.
Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kërkuar gjithashtu interpelancë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, si dhe me ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Në seancën e së enjtes pritet të shqyrtohen edhe disa projektligje, mes tyre ai për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndryshimet në ligjin për shërbimet e pagesave, si dhe ndryshimet në ligjin për të drejtat e autorit.
Deputetët pritet të shqyrtojnë gjithashtu ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, si dhe projektligjin për treguesit gjeografikë të produkteve artizanale dhe industriale.
Një tjetër pikë e rendit të ditës është projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.