Përmbytjet vdekjeprurëse në Francë, tre viktima dhe qindra të evakuuar
Përmbytjet e fuqishme në jug të Francës kanë shkaktuar vdekje të tre personave dhe evakuimin e qindra banorëve, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe problemet në transport dhe telekomunikacion.

Përmbytjet e fuqishme në jug të Francës kanë shkaktuar vdekje të tre personave dhe evakuimin e qindra banorëve, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe problemet në transport dhe telekomunikacion.
Sipas autoritetve lokale në departamentin Bouches-du-Rhône, dy gra, përkatësisht 86 dhe 26 vjeçe, u gjetën të mbytura në një bodrum në komunën Lançon-Provence, ku kishte depërtuar uji i përmbytjeve. Viktima e tretë ishte një 75-vjeçar, i cili u rrëmbye nga rrjedhat e fuqishme të ujit në zonën e Saint-Mitre-le-Rébard. Trupi i tij u gjet më pas në komunën fqinje të Istres.
Përmbytjet detyruan rreth 250 persona të strehoheshin përkohësisht në qendrat e emergjencës në qytetet Arles dhe Saint-Martin-de-Croix, pasi qëndrimi në banesat e tyre u bë i rrezikshëm. Reshjet e dendura shkaktuan përmbytje të rrugëve, dëmtime në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, si dhe ndërprerje të shërbimeve të transportit. Mijëra familje mbetën pa energji elektrike, ndërsa problemet me telekomunikacionin vështirësuan komunikimin në zonat e prekura.
Për përballimin e situatës u angazhuan më shumë se 700 zjarrfikës, të cilët kryen qindra operacione shpëtimi, larguan ujin nga ndërtesat dhe ndërhynë në zonat më të rrezikuara. Situata më problematike u regjistrua në pjesën perëndimore të departamentit, ku reshjet e rrëmbyeshme përmbytën zona të banuara dhe detyruan autoritetet të mbyllnin disa akse rrugore.