Korçë: Studentët vazhdojnë bojkotin e auditorëve, pedagogët në mbështetje
Studentët e Universitetit "Fan S. Noli" në Korçë vazhdojnë bojkotin e auditorëve, duke marrë edhe pedagogët në mbështetje të tyre.

Studentët e Universitetit “Fan S. Noli” në Korçë kanë bojkotuar edhe ditën e sotme auditorët, në vijim të protestave të nisura ditët e fundit. Në mbështetje të tyre janë rreshtuar edhe një pjesë e pedagogëve të këtij universiteti.
Ndryshe nga një ditë më parë, kur pas bojkotit studentët vijuan protestën në bulevardet e qytetit, sot ata nuk kanë zhvilluar marshim në rrugët e Korçës.
Burime të siguruara bëjnë me dije se gjatë pasdites pritet të mblidhet sërish Këshilli Studentor, për të diskutuar dhe vendosur mbi hapat e mëtejshëm të lëvizjes studentore.