Mungesa e mësuesve dhe mjekëve në BE; në Shqipëri, 95% e bizneseve ka vështirësi në rekrutim
Mungesa e mësuesve, mjekëve dhe specialistëve të teknologjisë së informacionit është një problem serioz në Bashkimin Europian. Raporti i OECD tregon se 95% e bizneseve në Shqipëri ka vështirësi në rekrutim, ndërsa në BE, profesionistët e arsimit janë në krye të listës me mungesë.

Mësuesit, profesionistët e shëndetësisë dhe specialistët e teknologjisë së informacionit janë profesionet me mungesë të madhe të fuqisë punëtore në Bashkimin Europian. Të dhënat e raportit Skills for Jobs 2026, të publikuara nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), tregojnë se tregu europian i punës po përballen me vështirësi të vazhdueshme për të gjetur punonjës me kualifikimet e duhur.
Sipas të dhënave të publikuara edhe nga Komisioni Evropian, profesionistët e arsimit janë në krye të listës me mungesë, me një tregues të çelibrin prej rreth 0.4, ndjekur nga profesionistët e shëndetësisë dhe ata të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), me përkatësisht rreth 0.37 dhe 0.34.
Mungesat janë të konsiderueshme edhe për teknicienët e shëndetësisë, specialistët e biznesit dhe administrimit, menaxherët dhe profesionistët e shkencës dhe inxhinierisë. Në renditje përfshihen gjithashtu punonjësit e përpunimit të metaleve dhe makinerive, të kujdesit personal dhe specialistët e instalimeve elektrike dhe elektronike.
Treguesit matin çelibrin mes kërkesës dhe ofertës për profesione të ndryshme, jo përqindjen e vendeve të lira të punës. Raporti i OECD, i publikuar më 14 tetor 2026, mbështetet në të dhëna të krahasueshme për 38 vende, kryesisht deri në vitin 2024. Sipas organizatës, mungesat janë përqendruar te profesionet që kërkojnë kualifikim të lartë, ndërsa në profesionet me kualifikim më të ulët vërehen më shpesh tepërca të fuqisë punëtore.
Plakja e popullsisë, dixhitalizimi dhe përhapja e inteligjencës artificiale po ndryshojnë kërkesën për profesione. Në shëndetësi, rritja e nevojave për kujdes dhe kushtet e vështirësive të punës po e bëjnë më të ndërlikuar tërheqjen dhe mbajtjen e personelit. Ndërkohë, zhvillimi i teknologjisë po rrit kërkesën për specialistë me aftësi të avancuara.
OECD paralajmëron se mungesa e punonjësve të kualifikuar mund të pengojë zhvillimin e sektorëve strategjikë dhe tranzicionin dixhital të të gjelbër të ekonomive.
Shqipëria, 94.9% e bizneseve që kërkonin punonjës hasën vështirësi
Shqipëria nuk përfshihet në krahasimin e 38 vendeve të bazës së re Skills for Jobs, por të dhëna të tjera tregojnë se mungesat e fuqisë punëtore dhe të aftësive janë kthyer në një nga problemet kryesore të bizneseve.
Sipas studimit Skills Needs Analysis Albania 2025, të publikuar në shtator 2026 nga UNDP, 94.9% e ndërmarrjeve që kishin tentuar të rekrutonin punonjës raportuan vështirësi në plotësimin e vendeve vakante. Ndërkohë, 43.5% e ndërmarrjeve identifikuan mangësi në aftësitë e punonjësve ekzistues.
Studimi mbështetet në pergjigjet e 2,185 ndërmarrjeve, që përfaqëson rreth 54 mijë biznese aktive dhe mbi 500 mijë të punësuar në vend. Problemet lidhen jo vetëm me mungesën e njohurive teknike, por edhe me aftësitë e komunikimit, organizimit, bashkëpunimit dhe përshtatjes me kërkesat e reja të punës.
Një tjetër raport i OECD për Shqipërinë, i publikuar në vitin 2026, evidenton se vetëm 1.6% e personave të moshës 25-64 vjeç morën pjesë në aktivitete arsimimi ose trajnimi gjatë vitit 2024, krahasuar me mesataren prej 13.3% në Bashkimin Europian.
Diferenca është e ndjeshme edhe në aftësitë dixhitale. Vetëm 23% e të rriturve në Shqipëri zotëronin të paktën aftësi bazë dixhitale, kundrejt 56% në BE, sipas të dhënave të vitit 2023 të cituara nga OECD.
Në vitin 2023, në Shqipëri u regjistruan mbi 61 mijë vende të lira pune, 54% më shumë se një vit më parë. Rreth 33.8% e vendeve vakante ishin në industri përpunuese, 14.6% në tregti dhe 14.2% në akomodim dhe shërbime ushqimore.
Sipas OECD, emigracioni, tkurrja e popullsisë në moshën punë dhe mospërputhja mes arsimit dhe kërkesave të bizneseve po e vështirësojnë gjithnjë e më shumë sigurimin e punonjësve të kualifikuar në ekonominë shqiptare.