Balla: Sali Berisha jep urdhrat për dhunën në Parlament
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka akuzuar Sali Berishën se jep urdhrat për dhunën në Parlament.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas seancës plenare të shoqëruar me tensione dhe përplasje, duke akuzuar Sali Berishën se jep urdhrat për dhunën. Në një deklaratë për mediat jashtë Kuvendit, Balla pretendoi se incidentet në Parlament tregojnë se pas veprimeve të dhunshme qëndron kreu i PD-së. "Besoj e patë se kush i jep urdhrat e dhunës në bulevard. Ajo që patë sot në Kuvend është një shprehje kuptimplotë e faktit se të gjithë urdhrat jepen nga një person dhe ai është Sali Berisha", deklaroi ai. Balla theksoi se mazhoranca nuk do të lejojë më bllokimin e seancave parlamentare dhe do të vijojë miratimin e ligjeve që lidhen me integrimin në Bashkimin Evropian, me synimin përmblylljen e negociatave në vitin 2027. Duke iu përgjigjur kërkesave për dorëheqjen e kryeministrit, ai deklaroi se Edi Rama ka marrë një mandat katërvjeçar nga zgjedhjet e 11 majit 2025. "Zgjedhjet i cakton Kushtetuta. Partia nuk mund të percaktojë nëse do të mbahen apo jo", përfundoi Balla.