"AmCham: Qeveria na la pa mbrojtje, sipërmarrjet përballen me humbje financiare dhe pasiguri"
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka reaguar për situatën e krijuar gjatë ditëve të fundit, duke ngritur shqetësimin për dëmtimin e bizneseve, ndërprerjen e aktivitetit ekonomik dhe mungesën e mbrojtjes së nevojshme për sipërmarrjet.

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) ka ngritur shqetësimin për dëmtimin e bizneseve, ndërprerjen e aktivitetit ekonomik dhe mungesën e mbrojtjes së nevojshme për sipërmarrjet. Në një deklaratë, AmCham thekson se komuniteti i biznesit po përballet me humbje financiare dhe pasiguri, duke bërë thirrje institucioneve përgjegjëse të garantojnë sigurinë publike dhe mbrojtjen e pronës private.
Sipas AmCham, situata e krijuar nuk mund të shihet e shkëputur nga problematikat e ngritura prej vitesh nga sipërmarrjet, të cilat nuk kanë marrë vëmendjen e duhur nga politikëbërësit. Një numër sipërmarrjesh po përballen me dëmtime të pronës dhe ndërprerje të aktivitetit, duke pësuar pasoja ekonomike.
AmCham nënvizon se pasojat nuk kufizohen vetëm te pronarët e bizneseve, por prekin edhe punonjësit dhe familjet që varen nga të ardhurat e tyre. Dhoma kërkon shtetit të garantojë kushtet e nevojshme për ushtrimin e aktivitetit ekonomik dhe të sigurojë mbrojtjen e qytetarëve dhe pronës private.
Në deklaratë, AmCham rikujton se prej vitesh ka bashkëpunuar me institucionet publike, duke paraqitur rekomandime dhe propozime për ndryshime në projektligje që prekin mjedisin e biznesit. Pavarësisht këtyre përpjekjeve të vazhdueshme, shumë prej shqetësimeve dhe rekomandimeve të anëtarëve tanë nuk kanë marrë vëmendjen dhe konsideratën e duhur.
AmCham paralajmëron se përshkallëzimi i tensioneve dhe mungesa e sigurisë mund të kenë pasoja afatgjata për ekonominë shqiptare. Dhoma u bën thirrje qeverisë dhe aktorëve politikë të punojnë për uljen e tensioneve dhe garantimin e rendit publik, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së njerëzve, bizneseve dhe pronës.