Aktualitet

Euro bie përsëri, i afrohet me shumë kufirit të 90 lekëve

3 min leximPublikuar më

Burimi: Monitor ·

Kursi i këmbimit të Euros me Lekun vijon rënien dhe po i afrohet me shumë kufirit të 90 lekëve. Ekspertët e tregut valutor mendojnë se rënja e vazhdueshme e Euros është rezultat i zhvendosjes së balancave mes ofertës dhe kërkesës.

Foto nga burimi: Euro bie përsëri, i afrohet më shumë kufirit të 90 lekëve

Kursi i këmbimit të Euros me Lekun vijon rënien dhe po i afrohet me shumë kufirit të 90 lekëve. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbyen sot me 90.64 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Me bazë vjetore, kursi Euro-Lek ka rënë me 6.2%. Euro po zhvlerësohet me ritmet më të larta në tre vitet e fundit.

Ekspertët e tregut valutor mendojnë se rënja e vazhdueshme e Euros është rezultat i zhvendosjes së balancave mes ofertës dhe kërkesës. Flukset hyrëse në Euro vazhdojnë të jenë në rritje, të nxitura sidomos nga turizmi dhe investimet e huaja. Nga ana tjetër, kërkesa për Euro paraqitet gjithnjë e më e vaktë, çka pjesërisht mund të shpjegohet edhe me uljen e besimit të publikut te monedha europiane, pas një cikli zhvlerësimi që po zgjat prej më shumë se një dekade.

Kjo po reflektohet edhe në një zhvendosje të kuotimit të çmimeve të pasurive të paluajtshme drejt monedhës vendase. Ndërkohë, edhe kreditimi i ekonomisë është gjithnjë e më i orientuar drejt Lekut, sidomos në segmentin e individëve, duke ulur gradualisht kërkesën për valutën me qëllim pagesën e kësteve të kredisë.

As trazirat e shkaktuara nga protestat e javëve të fundit nuk kanë sjellë një rritje të kërkesës së brendshme për Euro, siç mund të ketë ndodhur gjatë momenteve të pasigurisë politike apo ekonomike në të shkuarën. Banka e Shqipërisë vlerëson se rënja e kursit të Euros mund të shpjegohet me zhvillimet në pozicionin e jashtëm të ekonomisë.

Për gjysmën e pare të vitit 2026, deficiti i llogarisë korrente pësoi rënje me gati 41% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe arriti njëkohësisht nivelin më të ulët që prej vitit 2018. Ulja e deficitit ka ardhur kryesisht nga rritja e eksporteve të shërbimeve dhe nga remitancat.

Ndikim në bilancin e përgjithshëm të pagesave po jep edhe rritja e investimeve të huaja direkte. Për 6-mujorin 2026, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte arriti në 1.144 miliardë euro, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Përballë presioneve të shtuar mbi kursin e këmbimit, Banka e Shqipërisë i ka rritur më tej blerjet e valutës këtë vit. Sipas informacionit mbi ndërhyrjet në tregun e parasë, gjatë tremujorit të dytë të këtij viti Banka Qendrore ka blerë gjithsej 524 milionë euro, shifër kjo 224% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Duke shtuar edhe 139.6 milionë euro të blera në ankandet e tremujorit të parë, vlera totale e blerjeve për 6-mujorin 2026 ka arritur në 663.6 milionë Euro.

Blerjet e gjysmës së pare të vitit 2026 po ndjekin trajektoren e blerjeve të mëdha të valutës nga Banka e Shqipërisë duke filluar nga viti 2024. Në periudhën 2024-2025, blerjet arritën vlerën e më shumë se dy miliardë eurove. Vetëm vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë bleu 1 miliard e 27 milionë euro në tregun e brendshëm.

Përmbajtje e përgatitur me ndihmën e automatizimit dhe me citim të burimit. Citimi nuk përbën verifikim të pavarur.

PARASHIKIMI I MOTIT

Moti në qytetin tënd

Po ngarkohet parashikimi…

Parashikimi nga tani: MET Norway · CC BY 4.0

HOROSKOPI I DITËS

Një çast për veten

Marrëdhëniet

Puna dhe planet

· Lexim për argëtim, i përzgjedhur automatikisht çdo ditë.