Marjeta Ljarja ngjitet në skenën e “Migjeni”-t me një histori që prek shpirtin dhe rikthen besimin te dashuria e pastër
Aktorja e njohur Marjeta Ljarja është rikthyer në skenën e Teatrit “Migjeni” në Shkodër me monodramën “Qeni”, një veprë që përcjell mesazhe të forta për dashurinë, besnikërinë dhe lidhjen e vërtetë mes njeriut dhe kafshëve.

Aktorja e njohur Marjeta Ljarja është rikthyer në skenën e Teatrit “Migjeni” në Shkodër me monodramën “Qeni”, një veprë që përcjell mesazhe të forta për dashurinë, besnikërinë dhe lidhjen e vërtetë mes njeriut dhe kafshëve. Shfaqja u prezantua në natën e dytë të festivalit teatror “Gjegju Fest”, duke sjellë për publikun një histori që fton në reflektim përmes ndjeshmërisë dhe sinqeritetit.
E shkruar në vitin 2022 nga dramaturgu Naun Shundi, monodrama rikthen Marjeta Ljarjen përballë publikut me një interpretim që vënë në qendër marrëdhënien mes njeriut dhe mikut të tij më besnik, qenin.
Duke folur për veprën, aktorja ndau edhe një lidhje personale me historinë që përcillet në skenë, duke kujtuar qenin që ka pasur familja e saj.
“Ky është qeni që kemi mbajtur në familjen tonë. E ka mbajtur Rikardi dhe, vërtet, marrëdhënia me kafshën ka vetëm dashuri dhe sinqeritet”, u shpreh Ljarja.
Ajo vlerësoi mënyrën se si një veprë artistike mund të përcjellë mesazhe të rëndësishme pa pasur nevojë për këshilla të drejtpërdrejta, duke prekur ndjenjat dhe ndërgjegjen e publikut.
“Unë mendoj se mesazhet, kur përcullen përmes një pjesë me vlerë, siç është kjo, e shkruar nga Naun Shundi, përçohej më lehtë dhe mbahen mend më gjatë. Është diçka që ti nuk ia imponon tjetrit ta bëjë ashtu siç dëshiron ti, por sikur i ngacmon shpirtin, i ngacmon ndërgjegjen dhe e bën të reflektojë më lehtë sesa përmes një mesazhi të drejtpërdrejtë apo dogmatik, siç mund ta quash. Ka shumë mjeshtëri në këtë pjesë”, tha aktorja.
Për Marjeta Ljarjen, ngjitja në skenën e teatrit “Migjeni” ka qenë një përjetim i vërtetë emocional. Ajo rrethoi se këtë herë emocionet ishin më të forta se zakonisht, ndaj iu desh të mblidhte veten për ta çuar interpretimin deri në fund.
“Më la atë që në fillim e fillova me shumë emocion, si asnjëherë tjetër. Pastaj, me vetëdije, i thashë vetes: ‘Marjeta, mblidhe veten, se pjesa duhet çuar deri në fund’. Natyrisht, gjatë gjithë kohës, sa herë vij në Shkodër, jam me prezencën e Rikardit”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, festivali teatror “Gjegju Fest” po zhvillon edicionin e tij të dytë dhe do të vijojë në netët e ardhshme me shfaqje të tjera në skenën e Teatrit “Migjeni”. Aktiviteti synon të sjellë publikut shkodran krijime dhe interpretime të ndryshme teatrore, duke i dhënë hapësirë artit skenik dhe historive që nxisin emocion dhe reflektim.