Gjykata Speciale rrëzon kërkesën e mbrojtjes së Thaçit për dëshminë me shkrim
Gjykata Speciale në Hagë ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që deklarata e një dëshmitari të pranohej si provë vetëm në formë të shkruar, pa u thirrur për të dëshmuar në gjykatë.

Gjykata Speciale në Hagë ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që deklarata e një dëshmitari të pranohej si provë vetëm në formë të shkruar, pa u thirrur për të dëshmuar në gjykatë. Vendimi, i marrë në tetor të vitit 2025 në çështjen gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve për krime lufte, u bë publik në versionin e redaktuar më 19 tetor 2026.
Sipas arsyetimit të trupit gjykues, deklarata përmbante të dhëna mbi sjelljen e drejtpërdrejtë të disa të akuzuarve, si dhe mbi besueshmërinë e dëshmitarëve që kishin dëshmuar më herët. Për këtë arsye, gjykata vlerësoi se ishte e rëndësishme që dëshmitari të ishte i pranishëm për t’iu përgjigjur pyetjeve të palës kundërshtare, me qëllim garantimin e drejtësisë së procesit dhe shmangien e dëmit ndaj palëve.
Në vendimin e saj, trupi gjykues i kërkoi mbrojtjes së Thaçit të paraqiste informacionin e nevojshëm për të mundësuar paraqitjen e dëshmitarit në gjykatë, në vend që deklarata e tij të pranohej vetëm si provë me shkrim. Ndërkohë, aktgjykimi në çështjen ndaj Thaçit dhe të tjerëve për ndikimin e pretenduar ndaj dëshmitarëve është caktuar të mbahet më 17 nëntor.