Rama dhe Berisha i bënë bashkë rregullat e lojës me marrëveshjen e 2008-ës, Bamir Topi: Presidenti sot është totalisht i pafuqishëm!
Ish-Presidenti Bamir Topi ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës, Sali Berisha, duke i bërë përgjegjës për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dhe situatën politike në të cilën ndodhet sot Shqipëria.

Bamir Topi, ish-President i Republikës, në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka deklaruar se marrëveshja e 21 prillit 2008 mes Ramës dhe Berishës ndryshoi rregullat e lojës politike, duke krijuar një sistem që ka përqendruar pushtetin dhe ka dobësuar mekanizmat demokratikë të kontrollit. Ai ka theksuar se historia është që ky që është sot kryeministër dhe ai që është sot kryetar i opozitës, më 21 prill të 2008-s, bënë rregullat e lojës dhe sot ti ke një situatë dizastër.
Topi ka ngritur shqetësimin se ndryshimet kushtetuese kanë kufizuar mundësinë për të larguar një kryeministër përmes mekanizmave parlamentarë, duke iu referuar procedurës së mocionit të mosbesimit dhe nevojës për një shumicë alternative. Ai ka deklaruar se nuk vlen më mekanizmi kushtetues që çmonton sot Edi Ramën dhe se ai është arkitekt i shkatërrimit të shtetit dhe ka fakte pafund për këtë punë.
Ish-Presidenti ka kritikuar gjithashtu Presidentin Bajram Begaj, të cilin e cilësoi të pafuqishëm përballë krizës politike dhe protestave që po zhvillohen në vend. Ai ka theksuar se shoqëria ka nevojë për një figurë që të qëndrojë mbi palët dhe të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve.
Topi ka deklaruar se nuk kishte dijeni për ndonjë takim të Presidentit me kryeministrin pas përshkallëzimit të protestave dhe ka kritikuar mungesën e një apeli publik nga kreu i shtetit. Ai ka theksuar se nuk ka shumë shpresë për një zgjidhje të situatës politike dhe se problemi nuk kufizohet vetëm te përplasjet në rrugë, por lidhet me mënyrën se si funksionon shteti në të gjitha nivelet.
“Zarari i madh nuk është thjesht ajo përplasja atje. Zarari i madh është në mënyrën se si funksionon shteti në çdo qelizë. Kjo është diagnoza. Sot nuk është institucioni i pushtetit, sot është institucioni i njeriut”, përfundoi Bamir Topi.