Bamir Topi: Edi Rama është një njeri megaloman dhe arrogant, nuk mund të ndjehet i qetë për protestat
Ish-Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për sjelljen e tij arrogante dhe megalomane, duke theksuar se pakënaqësia ndaj qeverisë po rritet. Ai ka deklaruar se qytetarët janë të lodhur nga sjellja e Ramës dhe se mungesa e transparencës nga qeveria dhe institucionet shtetërore po e thellon edhe më shumë pakënaqësinë qytetare.

Ish-Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka komentuar në emisionin Minuta e Parë në News24 protestat e studentëve dhe qytetarëve që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit. Topi u shpreh se qytetarët janë të lodhur nga ajo që ai e cilësoi si sjellje arrogante dhe megalomane të kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se pakënaqësia ndaj qeverisë po rritet.
Ai kritikoi gjithashtu vendosjen e përditshme të karrigeve dhe stolave përpara Kryeministrisë, në kuadër të ftesës së Ramës për dialog, duke e konsideruar këtë qasje jo serioze përballë shqetësimeve të protestuesve. "Dil në trotuar vë karrige, stola, nuk është serioze. Ka mënyrën e vet ekstravagante, por kjo shoqëri nuk e duron dot më këtë mënyrë sjellje", tha Topi.
Topi theksoi se institucionet ndodhen në një errësirë të plotë sa i përket transparencës, ndërsa qytetarët kërkojnë përgjigje dhe përgjegjësi për situatën në vend. "Në rast se realizohen takime konsulta njerëzit e respektojnë institucionin. Në rast se nuk shprehesh nuk më mbetet tjetër të dyshojë mos këto takime janë për të kamufluar një situatë që nuk kamuflohet dot më", tha ai.
Topi deklaroi se ai pres një apel publik nga presidenti për të shprehur mendimin e tij dhe për të ofruar përgjigje për shqetësime të qytetarëve. "Mendimi nuk është një prononcim i përgjithshëm. Cili raporti me kryeministrin? A ka transparencë ky vend? Duhet të dalim nga kjo errësirë informative", tha Topi.