Themelimi i kompanisë ajrore në Kosovë: Çfarë do të kushtojë?
Qeveria e Kosovës synon themelimin e një kompanie ajrore kombëtare, por ende nuk ka bërë të qartë se sa do të kushtojë dhe kush do ta financiojë.

Përvoja e rajonit tregon se edhe operatorët me mbështetje shtetërore ose partnerë të mëdhenj kanë pasur vështirësi financiare. Mbi 4.6 milionë udhëtarë kaluan vitin e kaluar përmes Aeroportit të Prishtinës, ku operojnë dëshmitëra kompani ajrore. Tregu i Kosovës vazhdon të zgjerohet, por mbetet e paqartë nëse ka hapësirë edhe për një kompani të re, të financuar me para publike.
Ekspertët e aviacionit civil paralajmërojnë se kostot e larta dhe konkurrenca ndërkombëtare mund të vështirësojnë qëndrueshmërinë e një kompanie të tillë. Përvojë e rajonit tregon se edhe operatorët me mbështetje shtetërore apo partnerë të mëdhenj kanë pasur vështirësi financiare. Në Shqipëri, Air Albania ndërpreu fluturimet në fund të vitit 2025 dhe humbi licencën e operimit në maj të këtij viti. Në Slloveni, Adria Airways falimentoi në vitin 2019, tre vjet pas privatizimit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paralajmëroi nisjen e procesit për themelimin e një kompanie ajrore me kapital publik brenda mandatit të ri katërvjeçar. Ai premtoi edhe investime në shkollimin, trajnimin dhe certifikimin e specialistëve të aviacionit civil. Radio Evropa e Lirë i kërkoi Qeverisë sqarime për koston, modelin e financimit, partnerët e mundshëm dhe përfitimet e pritshme nga projekti, por ende nuk mori përgjigje.
Kostoja e themelimit të një kompanie ajrore varet nga madhësia e flotës, blerja apo marrja me qira e avionëve, struktura e pronësisë dhe mënyra e financimit. Një projekt të ngjashëm kishte propozuar Lidhja Demokratike e Kosovës në programin e saj për zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2025. LDK-ja kishte paraparë themelimin e një kompanie me pronësi të përzier publike dhe private, me katër deri në tetë avionë, që do të ofronte fluturime kryesisht drejt vendeve ku jeton diaspora kosovare. Investimi fillestar ishte vlerësuar në rreth 170 milionë euro, prej të cilave 70 milionë do të siguroheshin nga Qeveria dhe 100 milionë nga investitorët privatë.
Megjithatë, kjo shumë ishte parashikim për modelin e propozuar nga LDK-ja dhe jo për projektin e Qeverisë Kurti. Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, vlerëson se shpenzimet mund të jenë shumë të larta. "Ka një kosto shumë të lartë - mbi 500 milionë euro. Por, krejt varet se si e ka menduar Qeveria, a do të blejë avionët apo do të marrë me qira. Nëse merren me qira, kostoja është më e ulët, rreth 300 deri në 400 milionë euro. Vetëm një avion kushton 50 deri në 80 milionë euro. Kjo është e papërballueshme për buxhetin e vendit", thotë Mulaj për Radion Evropa e Lirë. Për krahasim, buxheti i Kosovës për këtë vit është rreth katër miliardë euro. Shifrat e përmendura nga Mulaj janë vlerësime të tij dhe nuk mbështeten në një studim të publikuar për kompaninë e propozuar.