Manchester United vazhdon të diskutojë për Michael Carrick pas humbjes në Champions League
Manchester United vazhdon të diskutojë për të vazhduar Michael Carrick si trajner, pas humbjes 4-1 kundër Comos në Ligën e Kampionëve. Drejtuesit e klubit po shqyrtojnë mundësinë e një ndryshimi në pankinë, por asnjë vendim nuk është njoftuar.

Manchester United nuk ka ndërmend ta shkarkojë menjëherë Michael Carrick, edhe pse humbja 4-1 kundër Comos në Ligën e Kampionëve ka shtuar presionin mbi trajnerin anglez. Drejtuesit e klubit pritet t'i besojnë pankinë edhe për ndeshjen e së dielës kundër Bournemouth në Premier League, por kjo nuk do të thotë se e ardhmja e tij është e garantuar.
Sipas burimeve brenda klubit, Carrick do të dalë normalisht në konferencën për shtyp të premten, në orën 13:30, për të folur për sfidën e radhës. Megjithatë, vonesa e Manchester United për të konfirmuar orarin e konferencës shtoi dyshimet se drejtuesit po diskutonin edhe mundësinë e një ndryshimi në pankinë.
Humbja në Itali ka nxjerrë në pah problemet e skuadrës, ndërsa kritikat nuk kanë ardhur vetëm nga jashtë klubit. Kapiteni Bruno Fernandes kritikoi publikisht zgjedhjet taktike të Carrick pas ndeshjes, duke shtuar presionin mbi trajnerin në një moment kur rezultatet po vënë në diskutim vazhdimishtësinë e tij.
Carrick ka pasur edhe probleme me përbërjen e skuadrës, pasi tetë futbollistë munguan për shkak demtimesh ose sëmundjesh. Megjithatë, rezultati 4-1 ka rikthyer në qendër të debatit pergjegjësinë e trajnerit për organizimin dhe paraqitjen e ekipit.
Manchester United u kthye në Angli rreth mesnatës, pas udhëtimit nga Milano, ku skuadra kishte qëndruar pas përballjes me Comon. Futbollistët pushuan të enjten, ndërsa Carrick ka në dispozicion dy seanca stërvitore për të përgatitur ndeshjen kundër Bournemouth, që nis të dielën në orën 14:00.
Por ndërsa Carrick vazhdon përgatitjet, drejtuesit e Manchester United, sipas raportimeve, po shqyrtojnë edhe alternativa për pankinën. Klubi nuk ka njoftuar ndonjë vendim për shkarkimin e tij, por as nuk ka dhënë garanci publike për vazhdimësinë.
Për momentin, Carrick mbetet trajner i Manchester United. Ndeshja me Bournemouth do të jetë prova e radhës për të treguar nëse mund ta nxjerrë skuadrën nga situata e krijuar pas humbjes në Itali.