Harry Kane fiton "Topin e Artë" sipas sondazhit të "The Athletic"
Harry Kane është zgjedhur si fituesi i "Topit të Artë" sipas një sondazhi të organizuar nga media britanike "The Athletic". Sondazhi u zhvillua mes 100 personaliteteve të futbollit botëror dhe Kane ka marrë 1103 pikë, duke e lënë pas dy rivalëve të tij, Lamine Yamal dhe Kylian Mbappe.

Harry Kane është zgjedhur si fituesi i "Topit të Artë" sipas një sondazhi të organizuar nga media britanike "The Athletic". Sondazhi u zhvillua mes 100 personaliteteve të futbollit botëror dhe Kane ka marrë 1103 pikë, duke e lënë pas dy rivalëve të tij, Lamine Yamal dhe Kylian Mbappe.
Sondazhi u zhvillua përmes një listë me 30 kandidatë, ku secili prej tyre zgjodhi dhjetë emra dhe i renditi sipas preferencave. Kane ka marrë 39 vota për vendin e parë dhe 72 nga 100 pjesëmarrësit e renditën atë mes tre futbollistëve më të mirë. Vetëm katër votues nuk e përfshinë në listën e tyre.
Rezultati lidhet drejtpërdrejt me sezonin 2025-2026 të sulmuesit anglez, i cili realizoi 73 gola me Bayern Munich dhe kombëtaren e Anglisë. Kane fitoi Bundesligën me klubin bavarez, arriti në gjysmëfinalet e Champions League dhe përsëriti të njëjtin rezultat me Anglinë në Kupën e Botës.
Një futbollist aktual i Premier League, pjesëmarrës në sondazhin e "The Athletic", e argumentoi votën për Kane me statistikat e tij dhe paraqitjet në kompeticionet kryesore. "Numrat e Kane janë të çmendur. Ai ka arritur në gjysmëfinalet e Champions League dhe të Kupës së Botës. Është e vërtetë që nuk i fitoi këto kompeticione, por është e jashtëzakonshme sa shumë gola ka shënuar", deklaroi futbollisti, identiteti i të cilit media britanike nuk e publikoi.
Edhe një ish-trajner i Premier League vlerësoi se kontributi i Kane nuk kufizohet vetëm te golat. Sipas tij, anglezi ka aftësinë të mbajë topin, të organizojë sulmin dhe të krijojë mundësi për shokët e skuadrës. Një tjetër ish-trajner kundërshtoi argumentin se paraqitjet e Kane duhen vlerësuar me pak për shkak të nivelit të Bundesligës.
Por sondazhi nxori në pah edhe mbështetjen për Lamine Yamal, i cili mori 23 vota për vendin e parë dhe përfundoi me 991 pikë. Futbollisti i Barcelonës u vlerësua për ndikimin në lojë dhe aftësinë për të ndryshuar rezultatin e një ndeshjeje. Një ish-lojtar i Premier League e cilësoi talentin që shfaqet vetëm një herë në një brez.
Kylian Mbappe u rendit i treti me 728 pikë dhe shtatë vota për vendin e parë. Francezi u përfshi në listat e 54 pjesëmarrësve, të cilët vlerësuan paraqitjet e tij në La Liga, Champions League dhe Kupën e Botës.
Një tjetër rezultat që tërhoqi vëmendjen ishte pozicionimi i Lionel Messit. Argjentinasi përfundoi në vendin e pestë me 498 pikë, por mori nëntë vota për vendin e parë, dy më shumë se Mbappe.
Një ish-futbollist i Premier League, që e kishte vendosur Messin në krye të listës së tij, argumentoi se argjentinasi vazhdon të jetë më i miri. Edhe një drejtues i futbollit anglez vlerësoi kontributin e tij me kombëtaren e Argjentinës.
Pas tre vendeve të para, renditja e sondazhit vijon me Michael Olise, 646 pikë, Lionel Messi, 498, Rodri, 481, Khvicha Kvaratskhelia, 401, Erling Haaland, 353, Ousmane Dembele, 320 dhe Jude Bellingham, 292 pikë.
Sipas analizës së "The Athletic", gara për Topin e Artë 2026 paraqet një vëçori që lidhet me rezultatet e kandidatëve në kompeticionet madhore. Kane ka statistika individuale superiore në sondazh, por nuk arriti të fitojë as Champions League dhe as Kupën e Botës.
Media britanike kujton se, që prej triumfit të Ronaldinhos në vitin 2005, fituesit e Topit të Artë, përveç Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, kanë arritur zakonisht të paktën në finalen e Champions League ose të një kompeticioni madhor me kombëtaren. Në këtë kuptim, një triumf i Kane do të përmbëntë një përjashtim nga modeli që ka ndikuar në ndarjen e çmimit gjatë dy dekadave të fundit.
Një tjetër element që evidenton "The Athletic" është shpërndarja e votave mes futbollistëve të skuadrave me shumë kandidatë. Në listën prej 30 emrash, pjesa më e madhe e votave u shpërndanë mes futbollistëve të skuadrave të mëdha evropiane.