Arrestohet ukrainasi për spiunazh në favor të Rusisë në Gjermani
Autoritetet gjermane kanë arrestuar një shtetas ukrainas për spiunazh në favor të Rusisë. Ai dyshohet se kishte mbledhur informacione ushtarakë dhe siguruar të dhëna për personelin ushtarak dhe instalacionet e mbrojtjes në zona të rëndësishme për sigurinë e krahut lindor të NATO-s.

Autoritetet gjermane kanë arrestuar një shtetas ukrainas për spiunazh në favor të Rusisë. Sipas Prokurorisë Federale të Gjermanisë, arrestimi u krye në landin e Brandenburgut, rreth 85 kilometra në perëndim të Berlinit. Në një deklaratë të publikuar të enjten, prokurorët bënë të ditur se i dyshuari kishte qenë në kontakt me shërbimin sekret rus përmes një ndërmjetësi, të paktën që prej korrikut të vitit 2025. Sipas autoriteteve, ai dyshohet se kishte mbledhur informacione me karakter ushtarak mbi prodhimin e mjeteve të blinduara, municioneve dhe lëndëve plasëse. Gjithashtu, dyshohet se kishte siguruar të dhëna për personelin ushtarak dhe instalacionet e mbrojtjes në zona të rëndësishme për sigurinë e krahut lindor të NATO-s. Kancelari gjerman, Friedrich Merz, deklaroi se nuk ishte i befasuar nga lajmi për arrestimin e personit të dyshuar për spiunazh rus. Arrestimi vjen në një kohë kur autoritetet gjermane kanë akuzuar Rusinë për përfshirje në incidente me dronë, të cilat zyrtarët i konsiderojnë pjesë të asaj që e përshkruajnë si një “luftë në hije” të Moskës kundër Gjermanisë. Të mërkurën, ushtria gjermane e ngriti në nivelin “i konsiderueshëm” vlerësimin e kërcënimit nga sabotazhet ruse ndaj trupave dhe objekteve të saj. Sipas raportimeve të mediave gjermane, ky është niveli i dytë më i lartë në shkallën e brendshme të vlerësimit të kërcënimeve.