Shqipërisë i duhet një transformim kushtetues, institucional dhe politik
Protestat e studentëve po shpërthejnë dhe digën e fundit të tranzicionit, duke kthyer lirinë e demokracisë në kënetën e autokracisë. Regjimi dhe sistemi antikushtetues i Edi Rama duhet të rrezohet përfundimisht.

Shqipërisë i duhet një transformim kushtetues, institucional dhe politik që të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si fitohet, ushtrohet, kontrollohet dhe humbet pushteti. Duhet bërë e pamundur kapja e pushteteve nga Kryeministri, Presidenti apo cilido NJESH. Për këto duhet të riprojektohen ndarja e pushteteve dhe mekanizmat kushtetues të kontrollit e balancës, në mënyrë që qeveria të mos imponohet mbi pushtetet e tjera dhe institucionet e pavarura. Asnjë individ dhe asnjë parti nuk duhet të ketë mundësinë të përqendrojë në duart e veta pushtetin politik, institucionet e shtetit dhe mekanizmat që duhet ta kontrollojnë ato. Duhet demokratizuar rrënjësisht funksionimi i partive politike. Kolegjialiteti duhet të dominojë mbi pushtetin e NJESHIT. Kryetarët e partive duhet të kenë mandate të kufizuara dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet dhe deshmitë politike. Koncepti i vjetëruar i liderit me mision e të pazëvendësueshëm duhet të marrë fund dhe të zëvendësohet nga ai i kryetarit me mandat dhe llogaridhënje. Duhet të garantohet qarkullimi demokratik në drejtimin e partive politike, duke siguruar sinergjinë mes përvojës dhe ripërtëritjes së lidershipit.