Borussia Dortmund: Tifozët do të shpërblehen për të mos përdorur telefonat në stadium
Klubi gjerman Borussia Dortmund ka prezantuar një funksion të ri në aplikacionin e tij për të inkurajuar tifozët të mos përdorin telefonat gjatë ndeshjeve në stadium.

Klubi gjerman Borussia Dortmund kërkon të inkurajojë tifozët e tij të lënë mënjanë telefonat gjatë ndeshjeve në stadium, duke shpërblyer ata që e përdorin më pak. Në këtë qëllim, klubi ka prezantuar një funksion të ri në aplikacionin e tij me emrin ‘FanModus’, që lejon grumbullimin e pikëve për çdo minutë të kaluar pa e përdorur telefonin gjatë ndeshjeve në shtëpi.
Tifozët që grumbullojnë më shumë pikë do të mund të fitojnë çmime mes të cilave fanella me autografë dhe kuponë për blerje në dyqanet zyrtare të klubit. Sistemi regjistron kohën gjatë së cilës ekrani i smartphone mbetet i bllokuar. Gjatë pushimit të ndeshjes, telefono mund të përdoret për ta riaktivizuar funksionin në pjesën e dytë. Grumbullimi i pikëve përfundon në përfundim të ndeshjes.
Sipas Borussias së Dortmundit, thuajse 2/3 e tifozëve në stadium përdorin rregullisht smartphonët e tyre në tribuna. ‘Sa vjen e më shumë tifozë janë të bezdisur nga fotot selfie, lidhjet live në internet dhe rrjetet sociale në tribuna -shpjegon klubi gjerman që më pas iu bën apel tifozëve- lëreni smartphone në xhep dhe shijoni ndeshjen në të gjitha aspektet’.
Funksioni ‘FanModus’ i aplikacionit të Borussia Dortmund do të mund të jetë në dispozicion që në ndeshjen e ardhshme të Bundesligës, atë me Eintrachtin e Frankfurtit që do të luhet ditën e shtunë.