Antifa shqiptare nën hetim amerikan për veprimtari të dhunshme
Investigimet amerikane kanë zbuluar lidhje midis organizatave të së majtës dhe protestave të dhunshme në Evropë, duke përfshirë Shqipërinë.

Investigimi i Fox News për 101 organizata që veprojnë si celula koordinimi për protesta të dhunshme në disa shtete evropiane, përfshirë Francën, Italinë, Belgjikën, por edhe Shqipërinë, ka sjellë në vëmendje edhe Internacionalen Progresiste, rrjetin ndërkombëtar të së majtës ku bën pjesë Lëvizja Bashkë e Arlind Qorrit. Një tjetër linjë e investigimit i ka zbuluar detaje mbi rrjetin financiar të multimilionerit Neville Roy Singham, i cili ka mbështetur organizata politike dhe media në disa vende dhe po hetohet nga autoritetet amerikane për shkelje të mundshme financiare dhe të ligjit për agjentët e huaj. Një investigim i publikuar më 20 tetor 2026 nga Fox News Digital pretendon se ka identifikuar 101 organizata në 13 vende, të cilat janë të përfshira në organizimin, koordinimin ose promovimin e protestave të dhunshme dhe kaosit në Europë. Një nga emrat që përmenden në investigim është Internacionalja Progresiste, një rrjet ndërkombëtar i së majtës që bashkon parti politike, organizata dhe aktivistë nga vende të ndryshme. Sipas Fox News, Internacionalja Progresiste ka promovuar mobilizimet në Francë dhe i ka lidhur ato me protesta e lëvizje në vende të tjera, përfshirë Spanjën, Indinë dhe Shqipërinë. Forca politike në Shqipëri e lidhur me Internacionalen Progresiste është pikërisht Lëvizja Bashkë e Arlind Qorrit. Anëtarësia e Lëvizjes Bashkë në Internacionalen Progresiste nuk është një pretendim i mbështetur vetëm në raportimet e mediave. Ajo konfirmohet edhe në faqen zyrtare të vetë Internacionales Progresiste, ku Lëvizja Bashkë paraqitet si një nga organizatat anëtare të rrjetit ndërkombëtar. Në një komunikim të publikuar më 16 tetor 2026, Internacionalja Progresiste e përmendi drejtpërdrejt Shqipërinë dhe Lëvizjen Bashkë, duke e lidhur aktivitetin e saj me protestat kundër projekteve të zhvillimit luksoz në bregdet dhe me kundërshtimin e politikave që, sipas organizatës, favorizojnë interesat oligarkike. Rrjeti ndërkombëtar deklaroi se punon për të mbështetur dhe lidhur lëvizje të punëtorëve, organizata të qiramarrësve, grupe studentore dhe parti politike që synojnë ndryshime shoqërore. Kështu, lidhja institucionale mes Internacionales Progresiste dhe Lëvizjes Bashkë është e dokumentuar nga vetë rrjeti ndërkombëtar. Arlind Qorri, si kryetar i Lëvizjes Bashkë, drejton forcën politike shqiptare që është pjesë e këtij bashkëpunimi ndërkombëtar. Paralelisht me investigimin mbi rrjetet e protestave, vëmendja e mediave amerikane është përqendruar te Neville Roy Singham, një sipërmarrës amerikan i cili ka financuar organizata politike, media dhe struktura jofitimprurëse në disa vende. Singham i ka mohuar pretendimet se vepron nën udhëzimet e Pekinit, por diçka e tillë nuk i ka lënë autoritetet amerikane në gjumë. Në korrik të vitit 2026, mediat amerikane kanë zbuluar se një juri e madhe federale në Nju-Jork po hetonte Singhamin për shkelje të mundshme të ligjit për regjistrimin e agjentëve të huaj, si dhe për çështje të mundshme tatimore dhe financiare. Paralelisht, një komision i Kongresit amerikan ka kërkuar dokumente financiare nga organizata të lidhura me rrjetin e tij. Sipas investigimeve të NYT dhe Fox News, Singham financon organizata që promovojnë ide marksiste, socialiste dhe antiimperialiste, ndërsa disa prej tyre publikojnë përmbajtje që përputhet me interesat politike të Kinës.