Diplomacia nuk prodhon rezultate, shpresat për paqe mbeten te takimet e ardhshme
Gjenerali Dedë Prenga ka thënë se diplomacia nuk prodhon rezultate në luftën në Ukrainë, dhe se shpresat për paqe mbeten te takimet e ardhshme.

Gjenerali Dedë Prenga, në një intervistë në emisionin “War Report” në ABC News, analizoi zhvillimet e fundit të luftës në Ukrainë. Ai tha se zhvillimet në frontin e luftës dhe ato në tryezat diplomatike nuk kanë ecur në të njëjtën linjë. Sipas tij, pavarësisht takimeve të nivelit të lartë, deri më tani nuk janë prodhuar rezultate konkrete që të çojnë drejt zgjidhjes së konfliktit.
Prenga theksoi se takimet diplomatike janë zhvilluar me kujdes, por mungesa e rezultateve konkrete tregon se procesi mbetet i ndërlikuar. Ai u ndal edhe te takimi në Alaskë, duke shprehur bindjen se aty mund të jenë përcaktuar disa orientime për ecurinë e mëtejshme të negociatave.
Sipas tij, një tjetër element shqetësues është ndryshimi i qëndrimeve dhe veprimeve ndaj Ukrainës, ndërsa vlerësoi se vendi nuk është në një pozicion të barabartë për të përcaktuar i vetëm kushtet e zgjidhjes së konfliktit.
“Duke parë realitetin dhe situatën që zhvillohen në atë luftarak dhe diplomatik për fat të keq pjesa e diplomacisë është e papërputhshme në atë çfarë është zhvilluar si në vijën luftarake edhe në atë të formave të goditjes. Ato që janë zhvilluar në takimet e nivelit diplomatik, kam bindjen se janë treguar të kujdesshëm në atë që paraqitet. Të bëhen të gjithë këto takime dhe të mos ketë asnjë produkt, kjo tregon që ata janë treguar më të kujdesshëm dhe kam bindjen se do të vijojë në atë vazhdë. Në takimin ne Alaskë është biseduar dhe kam bindjen se aty janë përcaktuar edhe piketat se si do të shkojë. Por për fat të keq ajo që ndërrohet janë veprimet dhe qëndrimet për Ukrainën. Por Ukraina nuk është në rolin dhe pozitën për të vendosur shenjën e barazisë. Pas zgjedhjeve që do zhvillohen le të shpresojmë të bëhet realitet takimi i parashikuar, dhe në prag të dimrit të prodhojë më në fund paqe. Të dy palët në aspektin ekonomik janë lidhur pa folur edhe për dëmet në aspektin ushtarak”, tha ai.