Rama kërcënon protestuesit: Do të përgjigjen penalisht, do ta marrin mësimin!
Kryeministri Edi Rama ka dalë sërish me paralajmërime të ashpra ndaj protestuesve, duke kërcënuar me përgjegjësi penale ata që, sipas tij, kanë marrë peng kryeqytetin dhe kanë ushtruar dhunë në emër të studentëve.

Kryeministri Edi Rama ka dalë sërish me paralajmërime të ashpra ndaj protestuesve, duke kërcënuar me përgjegjësi penale ata që, sipas tij, kanë marrë peng kryeqytetin dhe kanë ushtruar dhunë në emër të studentëve. Në një reagim të publikuar në Facebook, Rama ka hedhur gjithashtu akuza për përfshirjen e forcave të tjera në protestat antiqeveritare, duke pretenduar se disa persona po bëjnë lojën e të tjerëve.
Deklaratat vijnë në një kohë kur studentët dhe pedagogët vijojnë protestat, duke kërkuar dorëheqjen e tij. Pavarësisht refuzimit të ftesave të mëparshme për dialog, Rama ka përsëritur se është i gatshëm të takohet me të rinjtë, ndërsa në të njëjtën kohë ka paralajmëruar ndëshkime penale për personat që ai i konsideron përgjegjës për dhunën.
Rama ka deklaruar se është i gatshëm të takohet me studentët kudo që ata dëshirojnë, duke këmbëngulur se përballja e pikëpamjeve duhet të zhvillohet pa dhunë. Por krahas ftesës për dialog, Rama ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj pjesëmarrësve që i akuzon për akte të dhunshme.
Kryeministri ka pretenduar se në protestë janë përfshirë persona që kanë eksportuar terror dhe kanë vepruar në interes të të tjerëve, duke paralajmëruar se ata do të përballen me ligjin. Ai ka theksuar gjithashtu se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian nuk do të ndalet nga ato që i cilësoi si forca të përfshira në këtë situatë, pa sqaruar konkretisht se kujt i referohej.
Rama ka theksuar se ai është i gatshëm të takohet me ata që besojnë se Shqipëria duhet bërë më e mirë dhe se Shqipëria bëhet më e mirë me njerëzillëk, shkëmbim dhe ballafaqim të pikëpamjeve të kundërta. Ai ka deklaruar se kushdo që e mori peng kryeqytetin duke eksportuar terrorin dhe duke bërë lojën e të tjerëve në emër të studentëve do të përgjigjet ligjërisht, penalisht dhe sipas shkallës së shkeljes së bërë.