Kuvendi përjashton për dy muaj 6 deputetë të PD-së, rrëzohet kërkesa e PS për 14 të tjerët
Sekretariati i Etikës në Kuvend ka përjashtuar për dy muaj gjashtë deputetë të Partisë Demokratike, pas incidenteve të një dite më parë në sallën e Parlamentit. Kërkesa e Partisë Socialiste për masa disiplinore kundër 20 deputetëve të opozitës u rrëzua.

Masa disiplinore përfshin Flamur Nokën, Belind Këllëçin, Edi Palokën, Fidel Kërkon, Luçiano Boçin dhe Besart Xhaferrin. Vendimi erdhi pas shqyrtimit të kërkesës së grupit parlamentar socialist, i cili kishte kërkuar masa ndaj 20 përfaqësuesve të opozitës për veprimet e tyre gjatë seancës së fundit.
Për 14 deputetë të tjerë, Sekretariati i Etikës nuk miratoi përjashtimin, por vendosi t'u tërheqë vëmendjen. Në këtë grup bëjnë pjesë Gjin Gjoni, Bardh Spahia, Albana Vokshi, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Kastriot Piroli, Kliti Hoti, Flamur Hoxha, Arjan Ndoja, Ivi Kaso, Zija Ismaili dhe Blendi Himçiu.
Partia Socialiste e paraqiti kërkesën për masa disiplinore pas përplasjeve të 22 tetorit në Kuvend. Gjatë seancës, deputetët e opozitës bllokuan foltoren, përdorën fyerje dhe hodhën sende në drejtim të përfaqësuesve të mazhorancës.
Me vendimin e sotëm, Sekretariati i Etikës miratoi përjashtimin e gjashtë deputetëve demokratë, ndërsa për 14 të tjerët e kufizoi masën disiplinore në tërheqje vëmendjeje.