Rama: Studentë? Jo! Pedagogë? Jo! Çfarë janë këta që duan vetëm rrëmujë?
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në rrjetet sociale duke vënë në pikëpyetje identitetin e protestuesve dhe duke i akuzuar se synojnë të krijojnë rrëmujë.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë të premte një video nga protesta para Kryeministrisë, pak pas komunikimit të tij me mediat. Në video, shfaqen të rinj me kapuçë përpara godinës së Kryeministrisë, ndërsa disa prej tyre duken duke rrëzuar ulëset prej betoni, ku Rama ka vendosur çdo mëngjes ftesat e tij për dialog me protestuesit.
Rama ka shkruar në pjesën e poshtme të videove: “Studentë? JO! Pedagogë? JO! Po çfarë janë këta që duan vetëm rrëmujë?!”.
Publikimi vjen në ditën e 11-të të bojkotit në universitete dhe protestave studentore, ndërsa Rama ka vijuar të kundërshtojë pretendimin se lëvizja përfaqëson studentët dhe pedagogët, duke e lidhur atë me akte dhune dhe kaos.