Rinia i kërkon dorëheqjen! Rama bën “kurban” 132 drejtorë
Kryeministri Edi Rama ka urdhëruar dorëheqjen e 132 drejtorëve të institucioneve në varësi të ministrive, në një lëvizje për të zbutur presionin qytetar dhe të shmangur largimin e tij.

Në kulmin e protestave masive që kanë përfshirë vendin, ku studentët dhe qytetarët kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, një furtunë dorëheqjesh pritet të përfshijë administratën shtetërore. Plot 132 drejtues institucionesh dhe agjencish në varësi të ministrive janë urdhëruar të paraqesin dorëheqjet e tyre, në një lëvizje që vjen pikërisht në momentin kur presioni ndaj qeverisë është intensifikuar ndjeshëm.
Ndërsa në rrugët e Tiranës dhe qyteteve të tjera protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kreut të qeverisë, Rama ka zgjedhur të kërkojë largimin e drejtuesve të institucioneve në varësi të ministrive. Kjo lëvizje ngre pikëpyetje nëse drejtorët po bëhen “kurbanë” politikë për të zbutur pakënaqësinë qytetare dhe për të shmangur presionin që protestuesit po ushtrojnë drejtpërdrejt ndaj kryeministrit.
Sipas burimeve, urdhri është dhënë në kuadër të një procesi vlerësimi dhe rinovimi të administratës. Nga ky proces janë përjashtuar drejtuesit e institucioneve në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit, si dhe Policia e Shtetit. Referuar listave të institucioneve, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka numrin më të madh të strukturave në varësi, me 31 institucione që përfshihen në këtë proces. Në vendin e dytë renditet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me 21 institucione, ndërsa Ministria e Jashtme ka numrin më të vogël, me vetëm tri agjenci.
Por dorëheqja nuk nënkupton domosdoshmërisht largimin përfundimtar nga detyra. Sipas burimeve, çdo drejtues duhet të dorëzojë, krahas dorëheqjes, edhe një raport të hollësishëm mbi punën e kryer gjatë kohës që ka drejtuar institucionin përkatës. Ky dokument do të shërbejë si bazë për vlerësimin e performancës së secilit drejtues dhe për të përcaktuar nëse ai mund të rikandidojë për të njëjtin pozicion. Shqyrtimi i dosjeve dhe vlerësimi i kandidatëve do të kryhet nga Ministria e re e Administratës Publike, e drejtuar nga Adea Pirdeni.
Kjo do të thotë se një pjesë e drejtuesve që sot janë urdhëruar të dorëhiqen mund të rikthehen sërish në të njëjtat poste, nëse kalojnë procesin e vlerësimit.