Luljeta Lleshanaku fiton çmimin Horst Bienek për Poezinë
Poetja shqiptare Luljeta Lleshanaku është fituese e çmimit Horst Bienek për Poezinë 2026, një çmim letrar ndërkombëtar që i jepet poetëve për veprën e tyre të plotë.

Me 20 Tetor në mbrëmje, Akademia Bavareze e Arteve të Bukura në Mynih, Gjermani, shpalli Luljeta Lleshanakun fituese të çmimit Horst Bienek për Poezinë 2026. Çmimi Horst Bienek për Poezinë është një çmim letrar ndërkombëtar që u themelua në vitin 1991 dhe i jepet poetëve si vlerësim për veprën e tyre të plotë.
Luljeta Lleshanaku është një poetë shqiptare që shkruan poezi me një qartësi të madhe, në të cilat kujtesa vetjake dhe përvoja historike gërshetohen në mënyrë të pandashme. Gjuha e saj është e saktë dhe e përmbajtur, por mbart një tension të veçantë, i cili bën që e përditshmja të kalojë papritur në rrafshin ekzistencial.
Krijimtaria e Lleshanakut përbën një nga zërat më të spikatur në poezinë bashkëkohore evropiane dhe meriton vëmendje shumë më përtej botës shqipfolëse. Ajo ka dy përmbledhje me poezi të botuar në gjuhën gjermane nën përkthimin e Andrea Grill: “Kinder der Natur” (Edition Korrespondenzen, 2010) dhe “Die Stadt der Äpfel” (Carl Hanser Verlag GmbH, 2021).
Çmimi Horst Bienek për Poezinë shoqërohet me një vlerë monetare prej 10,000 Euro. Çmimi inkurajues prej 5,000 Eurosh iu dha poetes ukrainase Halyna Kruk. Ceremonia e dorëzimit të çmimit do të mbahet me 2 dhjetor në Mynih.