Netanyahu urdhëron mbylljen e Bregut Perëndimor pas sulmit me armë zjarri
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka urdhëruar mbylljen e Bregut të pushtuar Perëndimor pasi pesë izraelitë mbetën të plagosur prej sulmit me armë zjarri që dy palestinezë ndërmorën ndaj një pike kontrolli ushtarake në këtë territor.

Sipas zyrtarëve izraelitë, dy nga të lënduarit janë në gjendje kritike për jetën. Pas sulmit, IDF-ja vendosi një “rrethim të plotë” të qytetit të Hebronit.
Netanyahu vetë e pohoi se u kishte kërkuar Forcave të Mbrojtjes së Izraelit të përgatiteshin për mbylljen e plotë të Çisjordanisë, duke filluar nga dita e sotme. Megjithatë, ende nuk është bërë e qartë se kur do të hyjë saktësisht në fuqi kjo masë dhe sa do të zgjasë ajo.
Sipas një deklarate të ushtrisë, dy palestinezët u qëlluan për vdekje në vendngjarje. Ndërkohë vijojnë kontrollet në zonë për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë lidhje me sulmin. Deri më tani, nuk është bërë e ditur nëse viktimat janë ushtarë apo civilë.
Sulmi vjen vetëm katër ditë përpara zgjedhjeve në Izrael, të parat që prej sulmit të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023.
Zgjedhjet përbëjnë një provë të rëndësishme politike për Netanyahun, i cili është përpjekur ta paraqesë veten si një lider të palëkundur kur vjen fjala te çështjet e sigurisë.