Ndreca: Egnatia po luan si e barabartë me rivalët në Europë, synojmë fazën e play-off-it
Futbollisti i Egnatias, Edison Ndreca, ka vlerësuar pozitivisht barazimin 1-1 ndaj Aarhusit në Danimarkë, duke thënë se skuadra ka arsye të jetë e kënaqur me rezultatet e arritura në Europë.

Futbollisti i Egnatias, Edison Ndreca, e ka vlerësuar pozitivisht barazimin 1-1 ndaj Aarhusit në Danimarkë, në kuadër të fazës së ligës së Conference League. Në një intervistë për “Kubi Sportiv” ai u shpreh se skuadra ka arsye të jetë e kënaqur me rezultatet e arritura në Europë, ku është përballur me kundërshtarë me më shumë përvojë dhe buxhete më të mëdha.
Sipas tij, Egnatia ka treguar se mund të luajë si e barabartë me ekipe me histori në kompeticionet europiane, ndërsa synimi mbetet kalimi në fazën e play-off-it. “Duke parë rëndësinë, kundërshtarët që kishim përballë dhe të gjithë komponentët, ne jemi një ekip i ri në Europë dhe po përballemi me ekipe që kanë shumë histori në kompeticionet europiane dhe buxhete shumë më të forta se ne, por po luajmë si të barabartë. Po prodhojmë një futboll të bukur që nga ndeshja e parë në turin paraeliminator. Jam i lumtur për këtë dhe shpresoj të kalojmë në fazën e play-off-it”, tha ai.
Ndreca u ndal edhe te faktorët që, sipas tij, kanë ndikuar në paraqitjet e Egnatias, duke vënë në pah harmoninë mes lojtarëve, nivelin e përafërt të tyre dhe menaxhimin e grupit nga trajneri dhe klubi. “Unë mendoj se sekreti është grupi. Te Egnatia funksionon grupi. Kemi një grup shumë të mirë lojtarësh, rreth 20 futbollistë, të gjithë pak a shumë në të njëjtin nivel. Është edhe menaxhimi i mirë i grupit nga trajneri dhe klubi, që ka ndërtuar një grup shumë të shëndoshë. Ky është sekreti i Egnatias gjatë gjithë kësaj kohe, jo vetëm në këta dy muajt e fundit, por përgjatë një periudhe gati tre-katërvjeçare”, tha ai.
Futbollisti foli edhe për ndryshimet në lojën e skuadrës pas ardhjes së trajnerit Dede, duke e krahasuar filozofinë e tij me atë të paraardhësit, Tetova. Sipas Drecës, skuadra tashmë synon të kalojë më shpejt drejt portës kundërshtare. “Çdo trajner ka filozofinë dhe idetë e veta. Edhe me profesor Tetovën, Egnatia ka prodhuar një futboll të bukur, por kishim më shumë prekje të topit. Me trajnerin e ri luajmë më shumë horizontalisht dhe ai kërkon të shkojmë më shpejt drejt portës”, tha Ndreca.
Ai vlerësoi gjithashtu paraqitjet e Grudës, i cili ka shënuar gola si në Europë, ashtu edhe në kampionat, duke shprehur dëshirën që futbollisti të vazhdojë me të njëjtin ritëm dhe të bëjë një hap të rëndësishëm në karrierë.
Në fund, Ndreca kujtoi edhe vizionin e klubit për ta çuar Egnatian në nivele të larta dhe për ta bërë pjesëmarrjen në Europë një objektiv të vazhdueshëm. “Që në fillim, kur jam bërë pjesë e ekipit, para katër vjetësh, ka pasur një vizion shumë të lartë për ta ngritur Egnatian në këto nivele. Më vjen mirë që arritëm të shkruanim historinë dhe shpresoj që të mos jetë viti i vetëm, por të ketë vazhdimësi, që Egnatia të jetë pjesëmarrëse në Europë gjatë gjithë këtyre viteve dhe të mos mungojë në fazat e grupeve të kompeticioneve europiane”, tha Ndreca.