Rusia po spiunon Gjermaninë, thotë Merz
Shefi i ekzekutivit gjerman, Friedrich Merz, ka paralajmëruar se Gjermania mund të përballet me raste të ngjashme të spiunazhit në muajt dhe vitet e ardhshme.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e cilësoi një sukses arrestimin e një shtetasi ukrainas në lindje të Gjermanisë, i cili dyshohej për spiunazh në favor të Rusisë. Merz tha se Gjermania po përballet me veprimtari intensive spiunazhi dhe se aktiviteti i inteligjencës ruse në Gjermani vazhdon të jetë në nivel mjaft të lartë. Shtetasi ukrainas u prangos në landin e Brandenburgut dhe besohet të ketë qenë në kontakt me shërbimet sekrete ruse përmes një ndërmjetësi, duke grumbulluar të dhëna lidhur me prodhimin e tankeve, municioneve dhe eksplozivëve, si dhe për personelin dhe instalimet ushtarake në zona të rëndësishme për mbrojtjen e krahut lindor të NATO-s. Arrestimi ndodh në një kohë kur Gjermania ka rritur gatishmërinë përballë shtimit të rasteve të sabotimit dhe spiunazhit që u atribuohen autoriteteve ruse.