Projektvendimi i ri për automjetet e vjetra: Pronarët mund t’i dorëzojnë pa pagesë për riciklim
Projektvendimi i ri për automjetet e vjetra në Shqipëri synon të ndryshojë mënyrën se si trajtohen makinat e vjetra në vendin tonë. Pronarët mund t’i dorëzojnë automjetet e tyre pa pagesë për riciklim, ndërsa prodhuesit dhe importuesit profesionistë të automjeteve do të përballojnë të gjitha ose një pjesë të konsiderueshme të kostove të sistemit të trajtimit të automjeteve në fund të jetës.

Projektvendimi i ri për automjetet e vjetra në Shqipëri synon të ndryshojë mënyrën se si trajtohen makinat e vjetra në vendin tonë. Pronarët mund t’i dorëzojnë automjetet e tyre pa pagesë për riciklim, ndërsa prodhuesit dhe importuesit profesionistë të automjeteve do të përballojnë të gjitha ose një pjesë të konsiderueshme të kostove të sistemit të trajtimit të automjeteve në fund të jetës.
Kostot pritet të mbulohen tërësisht ose pjesërisht nga prodhuesit dhe importuesit profesionistë të automjeteve, ndërsa parashikohen edhe raste të veçanta kur pagesa mund t’i kërkohet vetë pronarit. Nisma synon të ndryshojë mënyrën se si trajtohen makinat e vjetra në Shqipëri, duke vendosur rregulla të reja për dorëzimin, çmontimin, riciklimin dhe çregjistrimin përfundimtar të tyre.
Sipas projektvendimit, automjetet që nuk mund të përdoren më do të pranohen nga operatorët e autorizuar pa kosto për pronarin e fundit, edhe në rastet kur makina nuk ka më vlerë tregu. Dokumenti parashikon dy përjashtime nga rregulli i dorëzimit falas. Operatorët e autorizuar mund të kërkojnë pagesën e kostove të trajtimit nëse automjetit i mungojnë pjesë kryesore, veçanërisht motori ose karroceria, ose nëse brenda tij janë vendosur mbetje që nuk kanë lidhje me automjetin.
Në raste të tilla, kostot shtesë mund të përballohen nga pronari, sipas rregullave të parashikuara në projektvendim. Për makinat që janë të plota dhe dorëzoohen për trajtim sipas procedurave, parimi bazë mbetet marrja në dorëzim pa pagesë.
Përgjegjësia financiare do t’u ngarkohet prodhuesve dhe subjekteve që importojnë automjete në mënyrë profesionale për tregtim në Shqipëri. Këto kompani do të duhet të përballojnë të gjitha ose një pjesë të konsiderueshme të kostove të sistemit të trajtimit të automjeteve në fund të jetës.
Projektvendimi nuk përcakton një tarifë fikse që duhet të paguajë secila kompani. Mënyra e financimit do të mbështetet te legjislacioni në fuqi për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit. Ndërkohë, për qytetarët që importojnë një makinë për përdorim personal, dokumenti nuk parashikon një pagesë të re vetëm për financimin e këtij sistemi. Kjo nuk përjashton taksat dhe detyrimet e tjera që zbatohen për importin apo regjistrimin e automjeteve.
Një tjetër ndryshim lidhet me procedurën për heqjen përfundimtare të automjeteve nga regjistri. Pronari do të duhet ta dorëzojë makinën te një operator i autorizuar, i cili do të lëshojë certifikatën e shkatërrimit. Ky dokument do të shërbejë për çregjistrimin përfundimtar të automjetit dhe do të pajiset me një kod serial unik të dhënë nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Lëshimi i certifikatës nuk do t’i japë operatorit të drejtën të kërkojë pagesë shtesë për këtë veprim.
Për automjetet e braktisura, bashkitë do të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit për identifikimin dhe largimin e tyre. Para dorëzimit për shkatërrim do të verifikohet gjendja juridike e mjetit dhe do të ndiqen procedurat për njoftimin e pronarit.
Projektvendimi përcakton gjithashtu standarde teknike dhe mjedisore për subjektet që grumbullojnë, çmontojnë dhe trajtojnë automjetet. Ato do të duhet të sigurojnë kushte të përshtatshme për ruajtjen e makinave, largimin e vajrave dhe lëngjeve të rrezikshme, si dhe ndarjen e pjesëve që mund të ripërdoren.
Operatorët ekzistues do të kenë 18 muaj kohë për t’i përshtatur ambientet dhe veprimtarinë e tyre me kërkesat e reja, pas hyrjes në fuqi të vendimit. Nisma parashikon edhe objektiva të detyrueshëm për ripërdorimin dhe rikuperimin e materialeve nga automjetet e dala jashtë përdorimit.
Nga 1 janari 2028, të paktën 85% e peshës mesatare të këtyre automjeteve duhet të ripërdoret ose të rikuperohet, ndërsa të paktën 80% duhet të ripërdoret ose riciklohet. Nga 1 janari 2030, objektivat rriten përkatësisht në 95% për ripërdorimin dhe rikuperimin, si dhe në 85% për ripërdorimin dhe riciklimin.
Projektvendimi synon të zëvendësojë rregullat e miratuara në vitin 2012 dhe të përafrojë legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.