Vdes në moshën 25-vjeçare këngëtarja Rinesa Qeriqi, një talent i humbur për muzikën shqiptare
Këngëtarja shqiptare Rinesa Qeriqi, një talent i njohur në muzikën shqiptare, ka vdekur në moshën 25-vjeçare pas një beteje të gjatë me tumorin në tru.

Këngëtarja Rinesa Qeriqi, njohur me emrin e artit Rinesancë, është ndarë nga jeta në moshën 25-vjeçare, pas një beteje të gjatë me tumorin në tru. Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur motra e saj, Drenisa, përmes një postimi prekës në rrjetet sociale. "Mëngjesi i sotëm na erdhi pa ty, Rina jonë. Do të mbetesh gjithmonë në zemrat tona, deri në përjetësi. Të duam fort, unë, mami, babi, Buna e Froni. Pusho e qetë, shpirt i bardhë", ka shkruar ajo. Për ndarjen e saj nga jeta ka reaguar edhe këngëtari Alban Skënderaj, i cili e ka kujtuar Rinesën përmes një mesazhi, duke zbuluar se ajo kishte interpretuar personazhin e Leas në një prej videoklipeve të tij. "Prehu në paqe, Rinesa. Edhe pse tepër shkurt, e jetove jetën me guxim, si një 'Lea' e vërtetë", shkruan Skënderaj. Mesazhe ngushëllimi kanë shprehur edhe artiste të tjera, mes tyre Dafina Zeqiri, Fifi dhe Tayna. Rinesa ishte diagnostikuar me tumor në tru në vitin 2025. Gjatë kësaj periudhe, ajo iu nënshtrua ndërhyrjeve kirurgjikale dhe trajtimeve me rrezatim. Me përkeqësimin e gjendjes së saj shëndetësore, familjarët kishin kërkuar edhe ndihmë financiare për të përballuar shpenzimet e trajtimit. E lindur në Prishtinë, Rinesa jetonte dhe krijonte në Kanada, ku ishte dalluar për stilin e saj të veçantë muzikor. Ajo kishte tërhequr vëmendjen e publikut përmes interpretimeve në rep dhe teksteve personale, që pasqyronin identitetin dhe përjetimet e saj artistike.