"Mile: Protesta nuk është mjaftuese për të rrëzuar sistemin, duhet presion mbi njerëzit që mbajnë Ramën në pushtet"
Pedagogu i filozofisë Klementin Mile deklaroi se protesta nuk është mjaftuese për të rrëzuar sistemin dhe se duhet të drejtohet edhe presion mbi njerëzit që mbajnë Ramën në pushtet.

Pedagogu i filozofisë Klementin Mile, në emisionin “Zonë e Lirë”, deklaroi se energjia e protestës nuk mjafton për të rrëzuar sistemin. Sipas tij, presioni duhet të drejtohet edhe ndaj njerëzve me ndikim dhe mekanizmave që mbështesin pushtetin e kryeministrit Edi Rama.
“Protesta, në gjykimin tim, nuk mund të rrëzojë sistemin. Nuk duhet vetëm energjia e protestës. Protesta bën presion që jo domosdoshmërisht jep efekt”, u shpreh Mile.
Ai argumentoi se personat që kanë ndikim politik dhe kontrollojnë një numër të madh votash nuk kanë arsye të tërheqin mbështetjen për Ramën nëse nuk përballen vetë me koston e pakënaqësisë qytetare.
“Duhet presion te njerëzit që mbajnë Ramën në pushtet, te njerëzit influentë, mekanizmat që kanë në ‘arkën e tyre’ një numër të madh votash. Nëse protesta nuk u shkon ‘te dera’, ata nuk kanë asnjë arsye pse ta lëshojnë Ramën”, deklaroi ai.
Sipas pedagogut, protesta mund të shoqërohet me mosbindje civile, me qëllim rritjen e kostos për pushtetin. Gjatë argumentimit, ai përmendi ndërprerjen e punës në sektorë si shëndetësia, transporti publik dhe bankat, duke i paraqitur si shembuj të ndikimit që mund të ketë paralizimi i shërbimeve në funksionimin e vendit.
Mile u ndal veçanërisht te roli i bankave në ekonomi, duke theksuar se ndërprerja e veprimtarisë së tyre do të ndikonte në aftësinë për të kryer pagesa.
“Bankat janë zemra e ekonomisë. Pa ato humbet aftësia për të paguar. Protesta nuk mjafton kurrë”, tha ai.
Në përfundim, pedagogu kritikoi format e deritanishme të mosbindjes, duke vlerësuar se ato kanë krijuar më shumë pengesa për qytetarët sesa për qeverisjen.
“Mosbindja që kemi parë ne ka qenë jo civile, ka penguar më shumë qytetarin sesa qeverisjen”, u shpreh Mile.