Protestat në Francë: 70 mijë policë në gatishmëri për të shtunën
Qeveria franceze ka mobilizuar rreth 70 mijë policë dhe xhandarë për të shtunën për të parandaluar protestat në të gjithë vendin, pas shqetësimeve për akte vandalizmi dhe plaçkitje.

Qeveria franceze ka mobilizuar rreth 70 mijë policë dhe xhandarë për të shtunën për të parandaluar protestat në të gjithë vendin, pas shqetësimeve për akte vandalizmi dhe plaçkitje. Sipas ministrit të Brendshëm, Laurent Nunez, në rrjetet sociale janë publikuar thirrje për akte vandalizmi dhe grabitje gjatë valës së re të protestave.
Pas trazirave të fundjavës së kaluar, presidenti Emmanuel Macron zhvilloi një takim me përfaqësues të organizatave të nxënësve të shkollave të mesme, ndërsa më vonë pritet të takohet edhe me përfaqësues të forcave të sigurisë.
Gjatë mëngjesit, Macron kryesoi një mbledhje të Këshillit të Mbrojtjes, pas një jave të tensionuar, të shoqëruar me ndalime të qarkullimit dhe kufizime të tubimeve.
Kryeministri Sébastien Lecornu do të vizitojë qytetin e Limoges, ku bashkia u dogj gjatë trazirave të 17 tetorit. Rreth 20 përfaqësues të nxënësve u pritën nga Macron për rreth tri orë, për të paraqitur kërkesat dhe shqetësimet e tyre. Protestat lidhen kryesisht me kushtet infrastrukturore në shkolla dhe kërkesën për shfuqizimin e platformës së orientimit universitar dhe profesional Parcoursup.
“Ne nuk jemi të kënaqur”, deklaroi Nathanaël Compary, drejtues i organizatës studentore Renouveau, duke kërkuar vazhdimin e mobilizimit dhe presionit ndaj qeverisë.
Megjithatë, ai shprehu kënaqësi që presidenti i dëgjoi përfaqësuesit dhe premtoi një reformim të plotë të platformës Parcoursup.
Përfaqësuesit e nxënësve presin gjithashtu një takim me kryeministrin Sébastien Lecornu të hënën. Nga ana tjetër, Louis Letublon, përfaqësues i organizatës Les Lycéens, u shpreh skeptik ndaj premtimeve të presidentit, duke kritikuar politikat e tij ndaj shërbimeve publike arsimore.
Autoritetet kanë njoftuar se të shtunën do të lejohen vetëm protestat e organizuara nga sindikatat. Në Paris është autorizuar vetëm një marshim, ndërsa policia u ka kërkuar tregtarëve të marrin masa shtesë sigurie.
Komiteti ndërsindikal që organizon protestën në kryeqytet ka kundërshtuar ndryshimin e itinerarit të marshimit, të vendosur nga policia. Në Lion, qendra e qytetit do të jetë e ndaluar për protestuesit, ndërsa në Marsejë është lejuar një demonstratë, pavarësisht ndalimit të shpallur më herët nga prefektura.
Një tjetër pikë tensioni pritet të jetë qyteti i Orleanit, ku gjatë fundjavës do të mbahet kongresi i partisë së ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar (RN). Sipas parashikimeve, në qytet pritet të mblidhen nga 20 mijë deri në 30 mijë kundërshtaret e kësaj partie. Itinerari i protestës së tyre është ndryshuar, ndërsa rreth 3 mijë pjesëtarë të forcave të sigurisë do të angazhohen për ruajtjen e rendit.
Për shkak të protestave dhe masave të sigurisë, disa ndeshje të kampionatit francez të futbollit janë shtyrë. Gjithashtu, disa institucione kulturore dhe turistike, përfshirë Operën e Parisit dhe Pallatin e Versajës, do të qëndrojnë të mbyllura të shtunën për arsye parandaluese.
Të mbyllura do të jenë edhe Fondacioni Cartier, Fondacioni Louis Vuitton, Bursa dhe Biblioteka Kombëtare e Francës. Ndërkohë, ekspozita e artit bashkëkohor Art Basel, e organizuar në Grand Palais, është mbyllur dy ditë më herët nga sa ishte planifikuar. Edhe Muzeu i Luvrit është përfshirë në listën e institucioneve që do të mbyllen për shkak të situatës së sigurisë.