Stuhia e fuqishme godet Francën dhe Britaninë, mbi 300 mijë banesa pa energji elektrike
Stuhia e fuqishme "Austen" ka goditur Francën dhe Britaninë e Madhe, duke shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike dhe paralizuar pjesërisht transportin hekurudhor, ajror dhe rrugor. Mbi 300 mijë banesa kanë mbetur pa energji në të dyja vendet.

Stuhia e fuqishme "Austen" ka përfshirë Francën dhe Britaninë e Madhe, duke shkaktuar probleme të mëdha në furnizimin me energji elektrike dhe paralizuar pjesërisht transportin hekurudhor, ajror dhe rrugor. Mbi 300 mijë banesa kanë mbetur pa energji në të dyja vendet, ndërsa autoritetet kanë ngritur alarmin për përkeqësimin e kushteve atmosferike.
Ererat, të cilat kanë arritur shpejtësinë deri në 179 kilometra në orë, kanë rrëzuar pemë dhe kanë shpërndarë mbeturina në rrugë, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe kalimin në disa ura.
Në Francë, kompania e shpërndarjes së energjisë Enedis raportoi rreth 300 mijë abonentë pa energji elektrike, kryesisht në rajonet e Bretanjës dhe Normandisë. Ndërkohë, në Britani, operatori National Grid njoftoi se po punohet për rikthimin e furnizimit në mbi 12 mijë banesa.
Moti i keq ka shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme edhe në transportin hekurudhor. Ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot, paralajmëroi probleme në linjat që lidhin Parisin me zonat përreth, ndërsa në Normandi lëvizja e trenave është pezulluar plotësisht.
Situata ka prekur edhe trafikun ajror. Disa avionë që kishin si destinacion aeroportin Charles de Gaulle në Paris janë devijuar drejt aeroportit Orly, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë ndryshime të tjera të itinerareve drejt aeroporteve franceze dhe evropiane.
Shërbimi meteorologjik francez ka shpallur alarmin portokalli në pjesën më të madhe të veriperëndimit të vendit, ku ererat e forta dhe reshjet intensive pritet të vijojnë deri të premten në mbrëmje.
Ndërkohë, Britania e Madhe përballon me rrezikun e një tjetër stuhie gjatë fundjavës. Stuhia "Boelo" pritet të godasë Irlandën e Veriut, Skocinë dhe disa rajone të Anglisë veriore, duke sjellë reshje të dendura dhe ererëra me shpejtësi deri në 129 kilometra në orë.
Meteorologët britanikë paralajmërojnë se kushtet atmosferike mund të shkaktojnë përmbysje, dëme materiale dhe ndërprerje të tjera në transport.