Ministri Demo: Policia identifikon protestuesit e dhunshëm, teknologjia do të zbulojë personat e maskuar
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka deklaruar se Policia e Shtetit ka nisur punën për identifikimin e personave që dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj efektivëve të policisë dhe kanë dëmtuar pronë publike dhe private gjatë protesteve.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka deklaruar ditën e sotme se Policia e Shtetit ka nisur punën për identifikimin e personave që dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj efektivëve të policisë, si dhe kanë dëmtuar pronë publike dhe private gjatë protesteve.
Në një deklaratë për mediat, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Demo ka theksuar se autoritetet po analizojnë burime të ndryshme informacioni dhe pamje filmike për të identifikuar personat e përfshirë në aktet e dhunës, përfshirë edhe ata që kanë mbuluar fytyrën me maskë.
Ministri ka theksuar se Policia e Shtetit synon të mbledhë provat e nevojshme për të referuar rastet në Prokurori, ndërsa ka nenvizuar se teknologjia do të përdoret për të përshpejtuar procesin e identifikimit.
“Ne kemi ditë që janë të identifikueshme dhe kur protestuesit kanë fshehur fytyrën me maskë. Policia e Shtetit është shumë e qartë për sa i përket detyrës, për të sjellë para Prokurorisë personat e dhunshëm në këto proteste.
Këtu janë pjesërisht të maskuar, janë imazhe të marra nga burime publike, që kanë dëshmuar nivelin e dhunës. Ajo që po realizojmë është se përmes teknologjisë do të bëjmë të mundur më shpejt identifikimin e këtyre personave. Dua të garantoj të gjithë qytetarët se Policia e Shtetit po punon për të vënë para drejtësisë ata që cenuan pronën private”, u shpreh ministri i Punëve të Brendshme.
Demo ka garantuar se Policia e Shtetit do të vijojë hetimet për identifikimin e personave përgjegjës për aktet e dyshuara të dhunës dhe dëmtimit të pronës, me qëllim dërgimin e tyre para organeve të drejtësisë.