Nëna humb jetën duke shpëtuar djemtë e saj në Bahamë
Një tragjedi ka ndodhur në Bahamë, ku një grua britanike 36-vjeçare ka humbur jetën duke shpëtuar dy djemtë e saj nga një mbytje.

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Bahamë, ku një grua britanike 36-vjeçare ka humbur jetën teksa përpiqej të shpëtonte dy djemtë e saj, të cilët po i merrte rrjedha e fortë e detit. Sipas policisë, gruaja ndodhej me bashkëshortin dhe dy fëmijët pranë ishullit Bimini, ku po eksploronin botën nënujore me maska zhytjeje. Në një moment, një rrymë e fuqishme detare mori me vete dy djemtë, duke i vënë në rrezik jetën. Nëna u hodh menjëherë në përpjekje për t’i shpëtuar, por edhe ajo u rrëmbye nga rrjedha. Dy fëmijët arritën të shpëtoheshin, ndërsa 36-vjeçarja u nxor nga uji në gjendje kritike. Asaj iu dha ndihma e parë dhe iu krye reanimacion kardiopulmonar, përpara se të transportohej në një klinikë lokale. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, gruaja u shpall e vdekur. Policia e Bahamas ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ndërsa ka përjashtuar paraprakisht dyshimet për një veprim kriminal. Një autopsi pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes. Ministria e Jashtme britanike ka shprehur ngushëllimet për familjen dhe ka konfirmuar se po bashkëpunon me autoritetet vendase për t’u ofruar mbështetje të afërmve të viktimës.