Pse disa vende nuk ndryshojnë orën dimërore
Natën mes së shtunës dhe së dielës, Shqipëria, Kosova dhe pjesa më e madhe e Evropës kalojnë në orën dimërore.

Natën mes së shtunës dhe së dielës, më 25 tetor, Shqipëria, Kosova dhe pjesa më e madhe e Evropës kalojnë në orën dimërore. Në orën 03:00, akrepat do të zhvendosen një orë pas, duke shënuar sërish 02:00. Ky ndryshim sjell një orë më shumë gjumë atë natë, por edhe errësim më të hershëm pasdite. Praktika vazhdon të zbatohet në vendet e Bashkimit Evropian dhe në shumicën e shteteve të rajonit, megjithëse prej vitesh diskutohet heqja e saj.
Jo të gjitha shtetet e ndjekin këtë sistem. Islanda nuk e ndryshon orën gjatë vitit, ndërsa Bjellorusia, Rusia dhe Turqia kanë zgjedhur të mbajnë një orar të pandryshuar. Të njëjtën rrugë kanë ndjekur edhe Armenia, Gjeorgjia dhe Azerbajxhani. Jashtë Evropës, ndryshimin sezonal e kanë braktisur ndër vite edhe vende si Brazili, Irani, Jordania, Siria, Namibia, Samoa dhe Uruguai.
Edhe atje ku zbatohet, kalendari ndryshon. Në pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara, kthimi i akrepave pas bëhet më 1 nëntor. Ndërsa në disa rajone të Australisë, tetori shënon kalimin në orën verore, për shkak se stinët janë të kundërta me ato të hemisferës veriore.
Ndryshimi i orës u përhap gjatë Luftës së Parë Botërore, kur Gjermania dhe Austro-Hungaria e zbatuan në vitin 1916 për të ulur konsumin e qymyrit. Ideja ishte që aktivitetet e përditshme të përfitonin më shumë nga drita natyrore, duke pakësuar nevojën për ndriçim artificial. Megjithatë, përfitimi energjetik është vënë në diskutim. Kursimi nga përdorimi më i pakët i dritave mund të zbehet nga nevoja më e madhe për ngrohje në mëngjeset e ftohta.
Debati përfshin edhe shqetësimet për gjumin dhe përshtatjen e organizmit me orarin e ri. Në një konsultim publik të Komisionit Evropian në vitin 2018, ku morën pjesë rreth 4,6 milionë persona, 84 për qind e pjesëmarrësve mbështetën heqjen e ndryshimit sezonal. Komisioni Evropian propozoi në vitin 2018 që lëvizja e akrepave dy herë në vit të merrte fund. Parlamenti Evropian e mbështeti nismën në mars të vitit 2019, por procesi nuk u përmbyll me një marrëveshje mes shteteve anëtare.
Një nga çështjet kryesore mbetet zgjedhja e orarit që do të ruhej përgjithmonë: ai veror apo ai dimëror. Preferencat ndryshojnë mes vendeve, ndërsa vendimet e pakoordinuara mund të krijojnë vështirësi për transportin, tregtinë dhe qytetarët që punojnë përtej kufirit. Për këtë arsye, kalimi nga njëri orar te tjetri vijon sipas rregullit të përbashkët evropian: akrepat çohen përpara të dielën e fundit të marsit dhe kthehen pas të dielën e fundit të tetorit.