Skënderbeu mposht Partizanin në Superiore, humbja e pestë radhazi për kryeqytetasit
Skënderbeu ka mposhtur Partizanin në ndeshjen e Superiores, duke regjistruar fitoren e dytë radhazi dhe ngjitjen në vendin e gjashtë me nente pikë. Partizani mbetet në vendin e fundit me katër pikë pas pesë humbje radhazi.
Skënderbeu ka thelluar krizën e rezultateve për ekipin e Partizanit, duke e mposhtur me rezultatin 0-2 në ndeshjen e javës së tetë të Superiores. Pjesa e para e takimit u mbyll me rrjeta të paprekura, pavarësisht rasteve të krijuara në minutat e para nga lojtarët vendas si Human dhe Himallari.
Skuadra e drejtuar nga Julian Ahmataj arriti të gjejë rrugën e rrjetës në minutën e 56-të përmes një penalltie. Enur Totre u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke shnderruar në gol një penallti të cilën e fitoi vetë pas një kontakti në zonën me Janjeva.
Gjyqtari kryesor i ndeshjes e konfirmoi vendimin e tij për penallti edhe pas rishikimit të aksionit përmes sistemit VAR. Pavarësisht disavantazhit, formacioni i trajnerit Mislav Karoglan nuk arriti të reagojë dhe nuk regjistroi asnjë goditje të rrezikshme drejt portes kundërshtare në minutat e mbetur.
Në minutën e 88-të, Dejvid Janaqi vulosi shifrat përfundimtare 0-2 duke shënuar golin e dytë për korëtarët me një goditje të saktë nga një distancë e largët.
Me këtë sukses, Skënderbeu regjistron fitoren e dytë radhazi dhe ngjitjen në vendin e gjashtë me nente pikë, ndërsa Partizani mbetet në vendin e fundit me katër pikë pas pesë humbje radhazi.