TIRANA NUK GJEN QETËSI
Protestat në Tiranë vazhdojnë të jenë të tensionuara, me policinë që rrethon protestuesit në sheshin "Skënderbej" dhe blindon bulevardin "Deshmorët e Kombit".

Tirana vijon të përjetojë tensione gjatë protestave kombëtare të kësaj të shtunë, në ditën e 12-të të mobilizimit studentor kundër qeverisë. Policia ka blinduar bulevardin "Deshmorët e Kombit", duke vendosur një numër të madh efektivësh përreth Kryeministrisë. Në gatishmëri ndodhen edhe dy automjete ujëhedhëse, ndërsa forcat e rendit kanë përforcuar pozicionet për të penguar rikthimin e protestuesve në këto hapësira.
Paralelisht, situata mbetet e tensionuar edhe në sheshin "Skënderbej", ku është përqendruar një pjesë e madhe e protestuesve. Forcat e policisë kanë rrethuar turmën e grumbulluar në shesh dhe po hedhin vazhdimisht gaz lotsjellës në përpjekje për ta shpërndarë. Sasia e madhe e gazit ka krijuar re të dendura tymi, duke vështirësuar qëndrimin e qytetarëve në zonë.
Ndërhyrjet e njëpasnjëshme të policisë vijnë pas disa orësh përplesjesh, gjatë të cilave protestuesit janë zhvendosur nga njëra zonë e kryeqytetit në tjetrën. Fillimisht, turma ishte grumbulluar në bulevard, nga Kryeministria deri te Ministria e Brendshme, para se policia të ndërhynte me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Një pjesë e protestuesve u zhvendosën drejt rrugës "Myslym Shyri", ndërsa grupi më i madh u përqendrua në sheshin "Skënderbej". Më pas, disa prej tyre tentuan të riktheheshin në bulevard, ku u përballën sërish me ndërhyrjen e policisë.
Protesta e sotme ka mbledhur studentë dhe qytetarë të shumtë që kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama. Studentët vijojnë të refuzojnë ftesat për dialog, duke këmbëngulur në kërkesën për dorëheqjen e tij.
Në këtë moment, dy nga pikat kryesore të protestës mbeten bulevardi "Deshmorët e Kombit", ku policia ka përqendruar forca të shumta dhe automjetet ujëhedhëse, si dhe sheshi "Skënderbej", ku vijon ndërhyrja me gaz lotsjellës ndaj turmës së rrethuar.