Vllaznia triumfon në klasike, Tirana dorëzohet në Shkodër
Vllaznia ka fituar klasiken e futbollit shqiptar kundër Tiranës me rezultatin 2-0.

Vllaznia ka fituar klasiken e futbollit shqiptar kundër Tiranës me rezultatin 2-0, në ndeshjen e vlefshme për javën e tetë të Superiore. Skuadra shkodrane u shfaq më kërkuese që në minutat e para të takimit, duke rrezikuar vazhdimisht portën e mbrojtur nga Bekaj.
Avantazhi i vendasve erdhi në minutën e 38-të, kur Edon Murataj realizoi një supergol me thembër, i cili u konfirmua i rregullt edhe pas rishikimit nga sistemi VAR. Në fillimin e pjesës së dytë, trajneri i Tiranës, Dean Klafuriç, u përpoq të ndryshonte fatin e lojës duke shtuar presionin ofensiv për të gjetur golin e barazimit. Megjithatë, portieri shkodran Jukaj u bë protagonist absolut duke neutralizuar disa gjuajtje të rrezikshme nga lojtarët miq si Xhixha dhe zëvendësuesi Daci.
Në momentin më mirë të kryeqytetasve, Vllaznia arriti të godasë sërish dhe të dyfishojë shifrat në minutën e 68-të. Ishte mesfushori Adnard Mehmeti, i cili dërgoi topin në rrjetë për të vulosur fitoren dhe për të dhënë qetësinë përfundimtare formacionit kuqeblu.
Me këto suksese të rëndësishme, Vllaznia ngjitet në vendin e shtatë të klasifikimit me tetë pikë, ndërsa Tirana mbetet në vendin e katërt në kuotën e 11 pikëve.