Antonio Conte mohon spekulimet për Manchester United dhe ofertën e dy kushteve
Trajneri italian Antonio Conte ka mohuar spekulimet për një kalim të mundshëm në Manchester United dhe ofertën e dy kushteve për të marrë drejtimin e klubit. Ai ka deklaruar se nuk ka asnjë negociatë në fazën e avancuar dhe se rikthimi në stol do të varet nga një projekt që do të paraqitet.

Antonio Conte ka thyer heshtjen pas lajmeve që e përfolën si një nga kandidatët për të marrë drejtimin e Manchester United. Trajneri italian ka reaguar përmes një postimi në Instagram, duke sqaruar pozicionin e tij dhe duke kundërshtuar raportimet mbi kushtet që pretendohet se ka vendosur për rikthimin në stol.
" Duke pasur parasysh informacionet e publikuara ditët e fundit nga disa media, në Itali dhe jashtë saj, e konsideroj të nevojshme të ndërhyj për të sqaruar situatën. Emri im është lidhur me shumë klube, por për momentin nuk ka asnjë negociatë në fazën e avancuar ", shkruan Conte në Instagram.
Deklarata e tij vjen pas spekulimeve për një kalim të mundshëm në "Old Trafford", ku emri i italianit është përmendur si alternativë për drejtimin e Manchester United. Megjithatë, Conte nuk ka përjashtuar mundësinë e një marrëveshjeje në të ardhmen. Ai ka bërë qartë se nuk do të marrë një vendim të nxituar dhe se rikthimi në stol do të varet nga një projekt që do të paraqitet.
" Pas një eksperience fantastike dhe të suksesshme në drejtimin e Napolit, do të marr kohën e nevojshme për të vlerësuar se si dhe kur do të rikthehem te drejtimi i një skuadre. Do të jetë një vendim i menduar mirë, të cilin do ta marr kur të mendoj se janë krijuar kushtet e duhur ", shprehet trajneri italian.
Një tjetër pjesë e reagimit lidhet drejtpërdrejt me pretendimet për pagën dhe kompetencat që Conte kërkon në klubin e ardhshëm. Tekniku i ka cilësuar të pabazuara raportimet mbi këto kërkesa, duke argumentuar se nuk mund të flitet për kushte kontraktuale kur palët nuk kanë nisur negociata konkrete.
" Nëse do të shfaqet një mundësi konkrete, atëherë do të jetë momenti për të ulur me klubin e interesuar dhe për të vlerësuar se bashku kushtet e një marrëveshjeje të mundshme, duke respektuar nevojat e të dyja palëve dhe karakteristikat që dallojnë punën time si trajner ", përfundon Conte.
Në këtë mënyrë, trajneri italian ka kundërshtuar raportimet për dy kushtet që pretendohet se i ka vendosur Manchester United, por nuk ka mohuar interesimin e mundshëm të klubeve për shërbimet e tij. Për momentin, Conte nuk konfirmon asnjë marrëveshje dhe nuk përçakton një datë për rikthimin në stol. Ai e le të hapur mundësinë e negociatave, por vetëm nëse një klub paraqet një ofertë konkrete.