Shqipëria me nivel minimal të doktoratave në shkencë dhe teknologji, shumë poshtë BE-së
Shqipëria renditet në fund të Evropës për numrin e diplomuarve me doktorate në fushat e shkencës, matematikës, informatikës, inxhinierisë, prodhimit dhe ndërtimit, në raport me popullsinë e re.

Shqipëria renditet në fund të Evropës për numrin e diplomuarve me doktorate në fushat e shkencës, matematikës, informatikës, inxhinierisë, prodhimit dhe ndërtimit, në raport me popullsinë e re. Të dhënat e Eurostat tregojnë se në vitin 2023, Shqipëria kishte 0 të diplomuar me doktorate për 1 milion banorë të moshës 25-34 vjeç, kundrejt 0.9 doktorate për 1 milion banorë në Bashkimin Evropian, ndërsa në vite të para 2023 diplomat e doktoratave në shkenca në vendin tonë ishin në nivelet krejt minimale.
Diferenca është e dukshme edhe në krahasim me vendet e rajonit. Në vitin 2023, Serbia kishte 0.5 të diplomuar me doktorate për 1 milion banorë të moshës 25-34 vjeç, ndërsa Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nga 0.1 për 1 milion banorë.
Në disa prej ekonomive më të zhvilluara evropiane, treguesi ishte ndjeshëm më i lartë. Zvicra kryesonte me 1.9 doktorante të diplomuar për 1 milion banorë të moshës 25-34 vjeç, ndërsa Franca dhe Luksemburgu kishin nga 1.3. Gjermania dhe Suedia regjistronin nga 1.1 për 1 milion banorë.
Të dhënat sipas gjinisë tregojnë se situata në Shqipëri ka mbetur në nivele minimale gjatë viteve të fundit. Për meshkujt, treguesi ishte 0 për 1 milion banorë në vitin 2021, u rrit në 0.1 në vitin 2022, ndërsa në vitin 2023 u kthye sërish në 0. Për femrat, treguesi ishte 0.1 në vitin 2021 dhe 2022, ndërsa në vitin 2023 ishte 0.
Në Bashkimin Evropian, diferencën mes meshkujve dhe femrave ende e dukshme. Në vitin 2023, numri i meshkujve të diplomuar me doktorate në këto fusha ishte 1.1 për 1 milion banorë të moshës 25-34 vjeç, ndërsa për femrat ishte 0.7 për 1 milion.
Për vitin 2024, mesatarja e BE-së u rrit në 1.1 për 1 milion te meshkujt dhe 0.8 te femrat. Për Shqipërinë, Eurostat nuk paraqet të dhëna për vitin 2024 në tabelën e publikuar.