Protestat në Francë: Mbi 1 mijë persona të arrestuar
Protesta në Francë, qindra mijëra qytetarë në rrugë për të shprehur pakënaqësinë ndaj kostos së jetesës dhe kushteve të këqija në shkolla.

Mbi 1 mijë persona janë arrestuar gjatë protestave masive të zhvilluara në Francë, ku qindra mijëra qytetarë dolën në rrugë për të shprehur pakënaqësinë ndaj kostos së jetesës dhe kushteve të këqija në shkolla. Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, rreth 410 mijë persona morën pjesë në demonstratat e shtunës, ndërsa sindikatat pretendojnë se numri i protestuesve arriti në rreth 800 mijë. Për garantimin e rendit publik u angazhuan rreth 70 mijë efektivë policie.
Protestat nisën kryesisht në mënyrë paqësore, por në orët e vona të ditës situata u tensionua në disa qytete. Policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmat, ndërsa në Marselë u dogjën barrikada dhe në Bordë protestuesit dëmtuan një ndërtesë për të siguruar materiale për bllokimin e rrugëve.
Në Paris, përhershjet shpërthyen në fund të një marshimi që kishte nisur në mënyrë paqësore. Disa protestues hodhën sende në drejtim të policisë dhe ngritën barrikada të improvizuara, ndërsa efektivët ndërhynë për të shpërndarë grupet që po shkaktonin deme materiale.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, deklaroi se mijëra aktivistë radikale ishin mbledhur në fund të marshimit në kryeqytet. Ai bëri të ditur gjithashtu se numri i të arrestuarve pritej të rritej. Sipas autoriteteve, dy persona u plagosën, njëri në Tuluzë dhe tjetri në Clermont-Ferrand.
Përveç Parisit, incidente u raportuan edhe në Lion, ku policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë një turmë të mbledhur në një zonë ku protestat ishin të ndaluara nga autoritetet lokale.
Protestuesit shprehën zemërimin e tyre për rritjen e çmimeve, taksat dhe ato që e konsiderojnë mungesë reagimi nga qeveria. Disa prej tyre thanë se do të vazhdojnë demonstratat derisa autoritetet të japin përgjigje ndaj kërkesave të tyre.
Ndërkohë, rreth 13 mijë persona morën pjesë në një tubim kundër partisë së ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar, në qytetin e Orleanit. Kjo protestë u zhvillua pa incidente të raportuara.