Serbia në zgjedhje, shqiptarët e Luginës së Preshevës garojnë me listë të përbashkët
Qytetarët serbë votojnë sot në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në një klimë të tensionuar politike. Shqiptarët e Luginës së Preshevës garojnë me listën e përbashkët "Koalicioni Shqiptar" për të rrisur përfaqësimin e tyre në Parlamentin serb.

Qytetarët në Serbi votojnë sot në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në një klimë të tensionuar politike, pas protestave të vazhdueshme kundër pushtetit të presidentit Aleksandër Vuçiç. Një rëndësi të veçantë për shqiptarët ka pjesëmarrja në këto zgjedhje përmes listës së përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, me të cilën partitë politike shqiptare të Luginës së Preshevës synojnë të rrisin përfaqësimin e tyre në Parlamentin serb. Deri më tani, shqiptarët e kësaj zone janë përfaqësuar nga deputeti Shaip Kamberi. Sipas mediave vendase, qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 20:00. Për të votuar, qytetarët duhet të paraqesin një kartë identiteti ose pasaportë të vlefshme. Në këto zgjedhje kanë të drejtë vote 6.451.292 qytetarë, ndërsa në garë janë 18 lista zgjedhore, me gjithsej 2.418 kandidatë. Votimi zhvillohet në 8.392 qendra në të gjithë vendin. Procesi zgjedhor është mundësuar edhe për votuesit nga Kosova, për të cilët janë hapur 10 qendra votimi. Ata mund të votojnë në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin. Në fletën e votimit përfshihen lista e Aleksandër Vuçiçit, ajo e Ivica Daçiçit, lista e studentëve “Studentët Fitojnë”, si dhe subjekte të tjera politike dhe përfaqësues të pakicave kombëtare. Për partitë që nuk përfaqësojnë pakicat kombëtare, pragu zgjedhor është 3% e votave të vlefshme. Ndërsa listat e pakicave kombëtare përfitojnë nga pragu natyror, duke marrë pjesë në ndarjen e mandateve edhe nëse nuk arrijnë pragun e zakonshëm. Këto janë zgjedhjet e 15-ta parlamentare në Serbi që prej rikthimit të sistemit shumëpartiak në vitin 1990 dhe të dhjetat të parakohshme.